Zyrtarët e Britanisë së Madhe kanë njoftuar se do të fillojnë me zbatimin e marrëveshjes për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm që arrijnë në varka të vogla, për në Francë brenda disa ditëve, gjë që përbën hap të rëndësishëm në adresimin e kësaj dukurie.
Në kuadër të marrëveshjes, Franca është dakorduar ta pranojë kthimin e personave të padokumentuar që arrijnë në Britani përmes varkave të vogla, në këmbim që Londra zyrtare të pranojë po ashtu një numër të barabartë azilkërkuesish legjitimë që kanë lidhje familjare në shtetin britanik.
Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, patën njoftuar muajin e kaluar për skemën pilot të ashtuquajtur “një brenda, një jashtë”, e cila lidhet me kthimin e migrantëve, ka shkruar Reuters.
Më shumë se 25,000 persona kanë mbërritur në Britani me varka të vogla deri më tani në vitin 2025, teksa Starmer është zotuar se do të “shkatërrojë bandat” e kontrabandistëve për të zvogëluar numrin e ardhjeve.
Starmer, popullariteti i të cilit ka rënë që nga fitorja me shumicë dërrmuese në zgjedhjet e vitit të kaluar, po përballet me presion për të ndalur varkat e vogla nga partia “Reform UK” e Nigel Farage, e cila kryeson sondazhet kombëtare.
Në Angli janë organizuar disa protesta në kohët e fundit pranë hoteleve që strehojnë azilkërkuesit, ku kanë marrë pjesë grupe si kundër ashtu edhe në mbështetje të emigracionit.
Burimet qeveritare kishin thënë më parë se marrëveshja do të përfshinte rreth 50 kthime në baza javore, ose 2,600 në vit, pjesë shumë e vogël krahasuar me mbi 35,000 mbërritje të raportuara vitin e kaluar.