Mungesa e ushqimit

OKB-ja kërkon 2,8 miliardë dollarë fonde për Gazën dhe Bregun Perëndimor

Lufta në Gaza

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bërë thirrje të mërkurën për 2,8 miliardë dollarë fonde, në mënyrë që të ndihmohen më shumë se tre milionë njerëz në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, deri në fund të këtij viti.

Kjo sipas OKB-së do të ndihmonte në lehtësimin e mungesave të ushqimit dhe do të parandalonte lulëzimin e urisë në Gaza, raporton Reuters. 

Një apel i botuar nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) thotë se nevojitet shumë për të ndihmuar 3.1 milionë njerëz për të "zvogëluar vuajtjet njerëzore dhe për të parandaluar humbjet e mëtejshme të jetëve".

“Një pjesë e madhe e financimit - 782.1 milion dollarë do të destinohet për ndihma ushqimore për 2.2 milion njerëz në Gaza dhe 400,000 njerëz në Bregun Perëndimor”, thuhet në apel.

Më shumë se gjashtë muaj luftë kanë krijuar mungesa kritike ushqimore në mesin e palestinezëve të Gazës që në disa zona tani tejkalojnë nivelet e urisë, sipas Kombeve të Bashkuara.

Një zyrtar i lartë i ndihmës i OKB-së ka thënë të martën se Kombet e Bashkuara po përpiqeshin të parandalonin urinë në Rripin e Gazës dhe ndërkohë që kishte pasur disa përmirësime në koordinim me Izraelin, dërgesat e ndihmave në enklavë ende përballeshin me pengesa.

Izraeli synon ta zhdukë Hamasin në Gaza, pas sulmit të 7 tetorit të militantëve të tij në jug të Izraelit, në të cilin u vranë 1200 persona derisa më shumë se 250 të tjerë u morën peng, sipas të dhënave izraelite. 

Autoritetet shëndetësore të Gazës kanë thënë se Izraeli ka vrarë më shumë se 33000 njerëz që kur ka nisur ofensiva e forcave të tij në enklavë, pas sulmit të Hamasit.