Botë

OKB-ja e përshkruan Rripin e Gazës si “ferr mbi tokë”

okb

Kreu i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka deklaruar të martën se anëtarët e stafit të tij, doktorët dhe punëtorët e tjerë humanitarë janë duke u alivanosur për shkak të urisë dhe lodhjes së skajshme në Rripin e Gazës, ka raportuar The Guardian.

Lazzarini ka thënë përmes një njoftimi, të bërë publik nga zëdhënësi i tij gjatë një konference për shtyp në Gjenevë të Zvicrës se “kujdestarët, përfshirë kolegët e UNRWA-së në Gazë, kanë tashmë edhe vetë nevojë për kujdes. Mjekë, infermierë, gazetarë, punonjës humanitarë – ndër ta edhe stafi i UNRWA-së – janë të uritur. Shumë prej tyre po alivanosen për shkak të urisë dhe rraskapitjes, ndërsa vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre”.

Ai e ka përshkruar gjendjen në enklavën palestineze si “ferr mbi tokë”, tek ka shtuar se asnjë pjesë e territorit s’është e sigurt.

Sipas raportit të UNRWA-së, rreth 1,000 palestinezë të uritur janë vrarë që nga muaji maj, teksa po prisnin për ndihmat ushqimore.

Pas dështimit të bisedimeve të mëparshme për të zgjeruar armëpushimin gati 6-javor, Izraeli kishte vendosur bllokadë totale në Rripin e Gazës më 2 mars, duke mos lejuar asgjë të futet brenda deri në zbutjen e masave në fund të muajit maj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, UNRWA-ja kishte konstatuar të hënën se si pasojë e mungesave të gjërave bazike, çmimet e produkteve ushqimore në territorin palestinez janë rritur për 40-fish.