Botë

Netanyahu: Izraeli do të vazhdojë negociatat për lirimin e pengjeve dhe fundin e luftës

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të enjten se Izraeli është i gatshëm të vazhdojë negociatat për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës si dhe për ndërprerjen e luftës, porse vetëm në kushte që janë të pranueshme për shtetin hebraik.

“Kam lëshuar disa instruksione për të filluar menjëherë negociatat për lirimin e të gjitha pengjeve tona dhe për fundin e luftës në kushte të pranueshme për Izraelin”, ka thënë ai, duke shtuar se Izraeli është “në fazën vendimmarrëse”.

E ky ka qenë komenti i parë i Netanyahut ndaj propozimit për armëpushim të përkohshëm të iniciuar nga Egjipti dhe Katari, të cilin grupi militant palestinez Hamas e kishte pranuar në fillim të javës, ka shkruar Reuters.

Teksa ka folur me ushtarët afër kufirit të Izraelit me Gazën, Netanyahu ka thënë se qëndrimi i tij rreth planeve të miratuara për mposhtjen e grupit militant palestinez Hamas dhe riokupimin e qytetit të Gazës ka mbetur i pandryshuar.

Mijëra palestinezë janë larguar nga shtëpitë teksa tanket izraelite i janë afruar qytetit të Gazës gjatë 10 ditëve të fundit.

Plani i Izraelit për ta riokupuar qytetin e Gazës ishte miratuar këtë muaj nga kabineti i sigurisë, të cilin Netanyahu e kryeson, ndonëse shumë aleatë perëndimorë i kanë adresuar thirrje Qeverisë izraelite që ta rishqyrtojë.

Lufta ka shpërthyer kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor të vitit 2023. Militantët kishin vrarë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën 250 pengje – shumica janë liruar që atëherë përmes marrëveshjeve, ndërsa disa kanë vdekur. Izraeli është kundërpërgjigjur me një fushatë ajrore, detare dhe tokësore në Gazë që ka vrarë më shumë se 62,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi.