Shumica e shteteve aleate të NATO-s e mbështesin kërkesën e presidentit amerikan, Donald Trump, që të investojnë 5 për qind të bruto produktit të brendshëm në nevojat për mbrojtje dhe janë të gatshme të rrisin shpenzimet edhe më shumë, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Mark Rutte, të enjten.
“Ka mbështetje të gjerë”, u ka thënë Rutte gazetarëve pasi kryesoi një takim të ministrave të Mbrojtjes së shteteve aleate në zyrat në Bruksel. “Jemi shumë afër”, ka thënë ai, duke shtuar se ka besim të plotë “se do të arrihet” deri në samitin e ardhshëm të NATO-s pas tri javësh.
Aleatët evropianë dhe Kanadaja tashmë kanë shtuar investimet në forcat e mbrojtjes, si dhe në armatim e municione, qëkur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.
Në të njëjtën kohë disa shtete kanë kundërshtuar kërkesat e SHBA-së për të investuar 5 për qind të GDP-së në mbrojtje – 3.5 për qind për shpenzimet bazë ushtarake dhe 1.5 për qind për rrugë, ura, aeroporte e porte detare për të dislokuar ushtritë më shpejt.
Ngecjet e vazhdueshme për qëllimin e vjetër
Në vitin 2023, kur lufta në Ukrainë hyri në vitin e dytë, liderët e NATO-s ishin pajtuar të shpenzonin të paktën 2 për qind të GDP-së në buxhetet për mbrojtje kombëtare. Deri tash 22 nga 32 shtete anëtare e kanë bërë, por ka të tjera që kanë ngecur.
Trumpi dhe aleatët në NATO tani duket se janë të gatshëm ta mbështesin qëllimin e ri në samitin që do të mbahet në Hagë më 24-25 qershor. Trumpi insiston që aleatët e SHBA-së duhet të shpenzojnë të paktën 5 për qind ashtu që Amerika të mund të vërë prioritete në pjesë të tjera të botës, kryesisht në Indo-Paqësor dhe në kufijtë e vet.
Ai ka nxitur dyshime te shtetet e tjera të NATO-s duke thënë se SHBA-ja mund të mos i mbrojë nëse shpenzojnë pak. Në të njëjtën kohë, ai u ka vënë edhe tarifa aleatëve duke cituar shpesh edhe çështjet e sigurisë në SHBA.
Qëllimi i ri përfshin rritje prej 1.5 për qind mbi qëllimin aktual prej 2 për qind të buxhetit. Kjo do të thotë se të gjitha 32 shtete do të investonin përqindjen e njëjtë.
SHBA-ja deri tash ka shpenzuar shumëfish më shumë se cilido aleat, kur bëhet fjalë për para. Por, sipas të dhënave të fundit të NATO-s, në vitin 2024 SHBA-ja shpenzoi për mbrojtje 3.19 për qind të GDP-së, një rënie prej 3.68 për qind sa ishte një dekadë më herët. Është i vetmi shtet që uli shpenzimet për mbrojtje, që nga viti 2014.
Përderisa dy shifrat parashihet bashkë të prekin 5-përqindëshin, kjo ndryshon ndjeshëm bazën mbi të cilën NATO-ja llogarit shpenzimet e mbrojtjes. Afati kohor 7-vjeçar për ta arritur këtë qëllim është po ashtu më i shkurtër nga standardet e deritashme. Objektivi 2 për qind ishte vendosur qysh në vitin 2014.
Lidershipi amerikan në NATO
Sipas sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, Trumpi e ka shpëtuar NATO-n.
Sipas tij, aleatët evropianë kanë falënderuar Trumpin që e ringjalli Aleancën.
“Po ju dëgjojmë. Të gjithëve na duhen kapacitete më të mëdha. Na duhet të shpenzojmë më shumë. Faleminderit presidenti Trump, për ringjalljen e kësaj aleance. Ishte një aleancë që po ecte në gjumë”, ka thënë Hegsethi para gazetarëve duke cituar partnerët evropianë.
Shpenzimet më të larta konsiderohen edhe më të domosdoshme pasi administrata Trump pritet t’i tërheqë 84 mijë trupa amerikane nga Evropa. I pyetur për planet e Pentagonit, Hegsethi nuk ka dhënë shumë shpjegime. “Amerikanët nuk mund të jenë gjithandej gjatë gjithë kohës e as që duhet, prandaj ka arsye përse kemi trupa në vende të caktuara”, ka thënë ai.
Gjatë takimit Hegsethi dhe homologët e tij po ashtu miratuan objektivat e blerjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake për të forcuar mbrojtjen e Evropës, Arktikut dhe Atlantikut Verior. Shtetet tani kanë qëllim të blejnë sisteme ajrore të mbrojtjes, raketa me rreze të gjata, artileri, municion e dronë. Secili shtet ka një plan të klasifikuar dhe detajet nuk dihen.