Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka njoftuar të premten për nisjen e një operacioni të ri, të quajtur “Roja Lindore”, për të mbrojtur më mirë krahun lindor të aleancës që kufizohet me Bjellorusinë, Rusinë dhe Ukrainën, pas incidentit të kësaj jave me dron në Poloni.
“Roja Lindore” do të operojë në bashkëpunim të shteteve anëtare, duke përfshirë asete nga Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe të tjerë, sipas Ruttes.
“‘Roja Lindore’ do të japë fleksibilitet dhe fuqi në forcat tona dhe do ta bëjë më të qartë, se si aleancë mbrojtëse, jemi gjithmonë të gatshëm të mbrohemi”, ka thënë ai.
Rutte ka thënë se sulmi i Rusisë me dronë në Poloni nuk ka qenë incident i izoluar teksa e ka quajtur të rrezikshëm dhe të papranueshëm.
Ai ka thënë se pakujdesia e Rusisë në ajër përgjatë krahut lindor të NATO-s po rritet. Rutte ka thënë se dronët rusë shkelën hapësirën ajrore polake këtë javë, në atë që ai e quajti përqendrimi më i madh i shkeljeve të hapësirës ajrore të NATO-s që kemi parë.
Dronë të shumtë rusë kaluan në Poloni të mërkurën, duke bërë që NATO të aktivizonte avionë luftarakë për t'i rrëzuar.
Rusia ka thënë se nuk e kishte në shënjestër Poloninë, por udhëheqësit evropianë kanë shprehur siguri se inkursionet ishin provokim i qëllimshëm nga Rusia.
“Roja Lindore” do të përfshijë mbikëqyrjen ajrore nga NATO-ja dhe furnizim me pajisje të reja për mbrojtjet ekzistuese ajrore dhe tokësore të premtuara nga Franca, Danimarka, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Avionët luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme mbrojtëse tokësore janë premtuar për operacionin e ri.