Këshilli i Atlantikut të Veriut i NATO-s do të mblidhet të martën për të diskutuar shkeljen e hapësirës ajrore estoneze nga Rusia, kanë thënë të dielën për Reuters dy zyrtarë të njohur me çështjen.
Talini zyrtar ka njoftuar se tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore estoneze pa leje të premten dhe qëndruan për një total prej 12 minutash para se të detyroheshin të tërhiqeshin.
Estonia kërkoi konsultime sipas Nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit pas incidentit që e përshkroi si një inkursion "të paparë".
Neni 4 thotë se anëtarët e NATO-s do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërit prej tyre, territori, pavarësia politike ose siguria e ndonjërit prej tyre kërcënohet.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka mohuar se avionët e saj shkelën hapësirën ajrore estoneze, duke thënë se ata fluturuan mbi ujëra neutrale.
Me tensione tashmë të larta për shkak të luftës në Ukrainë, inkursioni erdhi pak më shumë se një javë pasi më shumë se 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake natën e 9-10 shtatorit.
Kjo bëri që avionët e NATO-s të rrëzonin disa prej tyre dhe zyrtarët perëndimorë thanë se Rusia po testonte gatishmërinë dhe vendosmërinë e aleancës.