Gaza

Mund të duhen 14 vjet për t’i larguar rrënojat nga Gaza, thotë OKB-ja

Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Zyrtari i Kombeve të Bashkuara, Pehr Lodhammar, ka thënë të premten se mund të duhen rreth 14 vjet për të hequr sasinë e madhe të rrënojave, përfshirë municionet e pashpërthyera të mbetura nga lufta shkatërruese e Izraelit në Rripin e Gazës.

Fushata ushtarake e Izraelit kundër grupit islamik palestinez të Gazës në pushtet, Hamas, ka shndërruar pjesën më të madhe të territorit të ngushtë bregdetar prej 2.3 milionë banorësh, në një shkretëtirë me shumicën e civilëve të pastrehë, të uritur dhe të rrezikuar nga sëmundjet, raporton Reuters.

Lodhammar, oficer i lartë në Shërbimin e Veprimit ndaj Minave të Kombeve të Bashkuara (UNMAS), ka thënë në një konferencë në Gjenevë se lufta ka lënë deri tani rreth 37 milionë tonë mbeturina në territorin me popullsi të dendur.

Ai ka thënë se megjithëse ishte e pamundur të përcaktohej numri i saktë i municioneve të pashpërthyera të gjetura në Gaza, është parashikuar se mund të duheshin 14 vjet në kushte të caktuara për të pastruar mbeturinat, duke përfshirë rrënojat nga ndërtesat e shkatërruara.

"E dimë se zakonisht ka një shkallë dështimi prej të paktën 10% të municioneve të shërbimit tokësor që gjuhen dhe nuk funksionojnë. Po flasim për 14 vite punë me 100 kamionë”, është shprehur ai.

Hamasi e nxiti luftën me një inkursion tronditës në Izraelin jugor, në të cilin militantët vranë 1200 njerëz, sipas të dhënave izraelite. Hamasi besohet se mban ende 129 pengje nga 253 që mori më 7 tetor.

Të paktën 34,305 palestinezë janë vrarë dhe 77,293 janë plagosur në ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.