Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, ka thënë se “mund të jetë e drejtë dhe morale” të lihen të vdesin urie 2 milionë banorë të Gazës deri në rikthimin e pengjeve izraelite.
Në një fjalim që ka mbajtur, ministri ka thënë se Izraeli duhet të marrë kontrollin e shpërndarjes së ndihmave brenda Gazës dhe ka pretenduar se Hamasi ka pasur nën kontroll kanalet e shpërndarjes brenda Rripit.
“Është e pamundur në realitetin e sotëm global të bësh luftë – askush në botë nuk do të na lejonte të linim të vdisnin urie dhe etje dy milionë banorë, edhe pse mund të jetë e drejtë dhe morale deri kur të rikthejnë pengjet tona”, ka deklaruar ai, duke shtuar se nëse Izraeli do të kontrollonte shpërndarjen e ndihmave në vend të Hamasit, lufta deri tash do të përfundonte dhe pengjet do të ktheheshin.
“Nuk mund ta luftosh Hamasin me një dorë dhe t’u japësh ndihma me dorën tjetër”, ka shtuar ai.
Izraeli ka kontroll mbi ndihmat që hyjnë në Gaza dhe grupet humanitare janë në detyrë për shpërndarjen e tyre. Derisa ka pasur disa raportime se Hamasi po i vjedh ato, është e paqartë gjendja mbi këtë, raportoi CNN.
Izraeli po përballet me kritika nga grupet humanitare dhe organizatat ndërkombëtare për kufizimin e ndihmave ushqimore në Rripin e Gazës. Një deklaratë nga Kombet e Bashkuara muajin e kaluar thoshte se uria ishte përhapur përreth gjithë enklavës. Ekspertët kanë akuzuar Izraelin se po kryen “fushatë të qëllimshme me synim urinë” të cilën e kanë quajtur “një lloj dhune gjenocidale”.