Botë

“Më thanë se do të më ndiqnin”, sfidat e gazetarëve në zonat e luftës

gazetar lufte

Gazetarët në vende të përfshira nga konfliktet e dhunshme si në Republikë Demokratike të Kongos, Sudan e Birmani, përballen me rreziqe ekstreme. Të kërcënuar, të ndjekur apo të detyruar të fshihen, ata vazhdojnë punën e tyre mes frikës, dhimbjes dhe mungesës së sigurisë. Pavarësisht traumave personale, ata nuk heqin dorë nga misioni për t’i dokumentuar mizoritë dhe për t’i dhënë zë viktimave të luftës

Stephen*, 39 vjeç, është gazetar në Republikën Demokratike të Kongos. Lufta midis ushtrisë së RD Kongos dhe fraksionit ushtarak të njohur si M23 është një nga konfliktet më të gjata të Afrikës. Një armëpushim i mundshëm u njoftua muajin e kaluar. 

Përshkallëzimi i dhunës ka bërë që Stephen tani të heqë dorë nga përmendja e emrit të tij dhe nga prania në mediat sociale.

Ai i ka treguar ekipit të “The Guardian” se ka mbuluar pothuajse të gjitha konfliktet në Kivun Veriore, në pjesën lindore të vendit, ku punon si reporter. Koha më e keqe ishte në vitin 2013, gjatë ofensivës së RD Kongos kundër M23. 

“Bombardimi ishte intensiv. Pashë kaq shumë njerëz - civilë dhe ushtarë - të plagosur dhe të vrarë”. 

Ai thotë se mban mend që shikonte sytë e ushtarëve qeveritarë, që ishin plot vdekje. Vdekja, sipas tij, ishte kudo. 

“U ktheva në shtëpi pas luftimeve dhe edhe unë kisha vetëm vdekje në sytë e mi”, thotë Stephen.
Stephen ka qenë i integruar përkrah forcave qeveritare në zonat kryesore të konfliktit dhe kjo është arsyeja pse është shënjestruar nga rebelët e M23. Ishte në shtëpi në Goma, qytet në rajonin e Kivusë Veriore në lindje të RD Kongos, kur mori telefonata anonime nga anëtarë të M23, të cilët i thanë se e dinin që kishte raportuar përkrah forcave qeveritare. I thanë se do ta ndiqnin. Stephen kaloi pesë ditë pa dalë nga shtëpia. Ata po kalonin pranë shtëpisë së tij, ishin aq afër, sa ai dhe familja ishin të tmerruar se do t’i gjenin.

“E gjithë përvoja na la të traumatizuar. Arriti deri në atë pikë sa gruaja ime lutej për evakuim  në një zonë të sigurt të kontrolluar nga forcat qeveritare. Nuk mund ta lija familjen time, do të preferoja të vdisja sesa të ndahesha prej tyre”, tha ai.  

Por, përpjekja për t’u larguar nuk dha asnjë rezultat gjithsesi.

Në Goma, peizazhi mediatik është shkatërruar. Që kur rebelët morën kontrollin e radiove dhe televizioneve lokale, nuk ka gazetarë që punojnë me ta, tregon Stephen. “Njoh gazetarë që qëndrojnë në shtëpitë e tyre, sepse janë shumë të tmerruar për sigurinë e tyre personale. Forcat M23 kanë, gjithashtu, një ushtri digjitale që shpërndan propagandë dhe sulmon këdo që bie ndesh me pikëpamjen e tyre për botën”.

Gazetaria është bërë një aktivitet i fshehtë, thotë Stephen.  Atij i është dashur t’i fshijë artikujt e vjetër, që i pati publikuar dhe ta fshehë praninë e tij në internet. 

“Ne nuk mund të raportojmë publikisht, të postojmë në mediat sociale ose të shprehim mendimin tonë publikisht në asnjë mënyrë. Është kundër natyrës së një gazetari. Është shumë, shumë frusturuese”, thotë gazetari.

Ani pse kjo luftë ka ndikuar rëndë në jetën e tij, gazetaria është një pasion i vërtetë për të. 

“Pas universitetit është e vetmja punë që kam bërë ndonjëherë; nuk di si të bëj asgjë tjetër. Është një thirrje për mua. Shpresoj vërtet për paqe dhe kthimin e sundimit të ligjit dhe që ne gazetarët të mund të shkruajmë për gjëra të tjera përveç luftës”, ka theksuar Stephen.

“Më është dashur t’i përqafoj gruan dhe fëmijët e mi, duke mos e ditur se kur mund të kthehem”

Daniel* ka qenë gazetar për më shumë se një dekadë në shtetin verior meksikan të Sinaloas – “shtëpia” e një lufte të vazhdueshme dhe të përgjakshme kundër drogës. 

Ky vend është zemra e një prej organizatave më të fuqishme të trafikimit të drogës në botë, kartelit “Sinaloa”.

Meksika është tashmë një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, por është bërë veçanërisht e tmerrshme në gjashtë muajt e fundit. Shtatë ose tetë persona po “zhduken” çdo ditë atje, përfshirë gra dhe fëmijë. 

Daniel thotë se bën çmos për ta treguar historinë e sinqertë të qindra njerëzve çdo vit që zhvendosen, torturohen ose zhduken në luftërat e karteleve.

Ai thotë se e ka pyetur veten pse vazhdon ta bëjë atë që bën, pavarësisht rrezikut. Por, sipas tij, është diçka e komplikuar. 

“Ende nuk jam plotësisht i sigurt. Nuk është ndonjë çështje krenarie. Nuk mendoj se rreziku është i mirë. Në fakt e gjej shumë, shumë të vështirë dhe ende po përpunoj disa incidente që më kanë ndodhur”, thotë Daniel.

Ai tregon se në një rast ishte në Culiacan, duke raportuar për arrestimin e Ovidio Guzman, djalit të “El Chapos”, bosit të drogës së kartelit “Sinaloa”, në janar të vitit 2023. Burra të armatosur e ndaluan në makinë, e kërcënuan dhe i konfiskuan gjithçka që kishte. Duke e ditur se ishte gazetar, i bën foto dhe video teksa ia drejtonin një armë në kokë.  

“Nuk e pashë më kurrë laptopin dhe makinën time. Mendoj se i dogjën”, rrëfen  Daniel.

Pas incidentit të fundit, Daniel ka kërkuar strehim në një hotel, derisa më në fund një burrë i sjellshëm e ndihmoi të largohej në pjesën e pasme të kamionit të tij. Pas një jave në shtëpi, vendosi të largohej nga shteti për në gadishullin Jukatan me këshillën e njësisë kombëtare për mbrojtjen e gazetarëve.

“Ata më thanë të rrija i qetë për një kohë”, tregon Daniel.

“Më duhej ta përqafoja gruan dhe fëmijët e mi - tani tre dhe gjashtë vjeç - dhe të dilja nga dera duke qarë pa e ditur se kur mund të kthehesha”, kujton gazetari.

Ai, ndër të tjera, tregon se kaloi tre muaj larg familjes. Për të ishte shumë e rëndë. “Është vërtet e dhimbshme të të thonë se duhet ta lësh jetën tënde pas, sepse dikujt nuk i pëlqen ajo që po bën”, thotë Daniel.

Familja dhe miqtë e tij e lutën të bëjë diçka më të sigurt dhe më të qëndrueshme ekonomikisht, dhe Daniel  mendoi shumë për këtë ndërsa ishte larg.

“Vitet e fundit kam hequr dorë nga mbulimi i këtyre temave. Incidenti në Culiacan e përshpejtoi këtë ndryshim, por në të vërtetë katalizatori ishte lindja e fëmijës tim të parë gjashtë vjet më parë”, thotë ai.

Daniel thekson se do që të jetë në vend,  për të kaluar kohë me fëmijët, gruan dhe prindërit e vet, dhe që të gjithë të jenë bashkë për ditëlindjet e fëmijëve. Në të njëjtën kohë, thotë ai, se është shumë e rëndësishme të vazhdosh ta thuash të vërtetën. 

“Unë besoj në fuqinë e kujtesës dhe, megjithëse, nuk ndodh shpejt, gazetaria ndihmon në sjelljen e ndryshimit”.

“Nëse nuk do t’i ndërmerrnim këto rreziqe, askush nuk do të dëgjonte për këtë luftë”

Ammar Awad ka punuar si ndërmjetës dhe reporter për mediat ndërkombëtare në Sudan, që kur shpërthyen luftimet midis forcave të armatosura sudaneze dhe paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në prill të vitit 2023.

Kohët e fundit, ai po vizitonte një kamp për persona të zhvendosur në Port Sudan, një qytet në Sudanin lindor pranë Detit të Kuq, kur një vajzë e vogël iu kap pas këmbës dhe thirri emrin e tij, xhaxha Ammar. Ajo e çoi te nëna e saj, e cila ishte fqinje dhe mikeshë familjare nga Omdurmani, qyteti ku Ammar jetonte dikur. 

“Kampi ishte në një gjendje të tmerrshme. Ajo dhe familja e saj nuk kishin strehim apo tendë për t’i mbrojtur nga nxehtësia e diellit. Më kujtohej gjendja e tyre para luftës; nuk ishin të pasur, por kishin mjaftueshëm për t’i bërë gjithmonë të buzëqeshur dhe të sjellshëm”, thotë gazetari.
Ammar tregon se jeta e grave dhe e fëmijëve, që i takon në zonat ku u lejohet të punojnë vazhdon ta bindë familjen e tij, e cila tani jeton në Egjipt, se duhet të vazhdojë punën në Sudan, pavarësisht frikës dhe thirrjeve të tyre që të mos udhëtojë në zonat e luftës. “Nëse nuk do t'i merrnim këto rreziqe, askush nuk do të dëgjonte për këtë luftë dhe mizoritë që po ndodhnin”, thekson Ammar. 

Një nga momentet më të tmerrshme për Ammarin ishte kur hyri në spitalin e vetëm në Omdurman, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe të sëmurë, për shkak të bombardimeve të rastësishme të kryera nga RSF-të në qytet. Ai thotë se nuk do ta harrojë kurrë se si një nga të plagosurit mori frymën e fundit para tij, ndërsa ishte i shtrirë në tokë duke pritur të hynte në sallën e operacionit. 

“Po përpiqeshim të kuptonim nga të afërmit e tij se si dhe ku ishte plagosur, por ai iku, dhe nuk mendoj se do ta harroj ndonjëherë këtë largim tragjik”.

Ammar tregon se përmirësimet graduale të kushteve të familjes së fqinjit të tij, në kampin e Port Sudanit, e bëjnë të ndiejë se ajo që po bën ka një vlerë - veçanërisht kur ajo vajzë e vogël shkoi tek ai për t’i thënë me gëzim se më në fund ka një tendë për të jetuar, ose ka marrë racione ushqimore nga organizatat ndërkombëtare. 

“Por, më dhemb që nuk jam në gjendje t'i përgjigjem pyetjes së saj të vazhdueshme: ‘Kur do të kthehemi në shtëpinë tonë dhe do të rifitojmë jetën tonë?’”, thekson Ammar.

“Nuk ka vend të sigurt”

Rar Ra* është gazetar që punon në shtetin Kachin të Birmanisë. Vendi është përfshirë nga një luftë civile brutale, që kur tranzicioni i tij drejt demokracisë u ndërpre kur ndodhi puçi ushtarak në vitin 2021.

Pas grushtshtetit, ushtria e futi kanalin e tyre televiziv - një kanal televiziv me seli në Yangon - në një listë të zezë. Disa nga kolegët e Rar Ra shkuan direkt në kufi për t’u arratisur në vende të tjera, por Rar Ra u ktheva në vendlindjen e vet në shtetin Kachin. 

“Doja të vazhdoja  të raportoja sa më shumë që të mundesha, duke shkruar për krimet e luftës të kryera nga ushtria, sulmet ajrore që vrasin fëmijë dhe kushtet për njerëzit e zhvendosur. Aktualisht jetoj në një qytet të kontrolluar nga ushtria”, rrëfen Rar Ra. 

Ai thotë se i duhet të duhet ta ruajë një profil të ulët kur është jashtë dhe nuk mund të mbajë shënime në asnjë mënyrë, duke fshirë gjithçka pasi ia dërgon raportet redaktorit, sepse ushtria shpesh ua kontrollon telefonat dhe laptopët. Meqenëse njihet si gazetar, e monitorojnë dhe e kontrollojnë, sepse dyshojnë se po raporton lajme kundër tyre. Kështu që, duhet të qëndrojë vigjilent gjatë gjithë kohës.
“Më duhet të mendoj gjithmonë se si të arratisem dhe ku të shkoj, nëse është e nevojshme. Në një rast, kohët e fundit, mezi shpëtova, pasi ushtria po shkonte shtëpi më shtëpi në lagjen time duke kërkuar një gazetar. Ika sa më shpejt që munda”, tha Rar Ra.

Sipas tij, është e vështirë të marrësh informacion rreth asaj që po ndodh në Birmani. Gjatë vitit të kaluar, ushtria ka prerë linjat e internetit, gjë që e bën të vështirë për gazetarët të flasin me burime ose të marrim informacion nga zona të largëta. Puna e gazetarëve është bërë edhe më e vështirë kohët e fundit nga shkurtimet e ndihmës amerikane, të cilat kanë ndikuar në median dhe kanë detyruar shumë nga kolegët e Rar Ra-së të heqin dorë nga puna si gazetarë.

“Krimet e luftës që po kryhen nuk do të arrijnë në botë nëse ndaloj së punuari. Po bëj çmos që t’i përballoj të gjitha sfidat e rrezikut dhe qasjen për ta rritur ndërgjegjësimin për njerëzit që vriten çdo ditë”, tha Rar Ra.