Me mijëra kilometra larg nga lindja e Gazës, blloqe të mëdha ndihmash ngarkohen në një aeroplan mallrash ushtarak amerikan. Ekipi i tij shtyn 80 arka në brendësinë e avionit, secila e mbështjellë me një parashutë.
Ushqyerja e Gazës tani është një operacion kompleks, i rrezikshëm dhe shumëkombësh. Britania kreu dy fluturimet e para me ndihma këtë javë. Franca, Gjermania, Jordania, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po marrin pjesë gjithashtu.
Ky është misioni i 18-të i forcave të SHBA-së. Hedhja e 40,000 vakteve të gatshme në zonën e luftës u kërkon atyre ta bëjnë një udhëtim nga Doha.
Është më i shtrenjtë dhe më pak efikas se format e tjera për të dërguar ndihma, e po ashtu i vështirë për t’u kontrolluar.
12 persona mendohet se janë mbytur ndërsa po përpiqeshin të kapnin ndihmat në det. Gjashtë të tjerë u raportua se ishin viktima të shtypjes gjatë stampedos për t'i arrirë.
“Jemi të vetëdijshëm për lajmet dhe po përpiqemi të mos kemi viktima”, ka thënë majori Boone, udhëheqës i misionit.
Ai ka shtuar se e kanë shikuar rrugën me shumë kujdes, me qëllimin që ndihmat të ulet sigurt përgjatë bregdetit të Gazës.
Por kjo nuk është e lehtë.
Një aeroplan i madh mallrash mund të dëgjohet prej kilometrash, që nënkupton se turmat shpejt mblidhen për ta ndjekur.
Dëshpërimi i shtyn shumë që të ndërmarrin rreziqe të mëdha.
Hamasi ka kërkuar ndërprerje të hedhjes së ndihmave nga ajri për shkak të viktimave, duke i quajtur ato “të padobishme” dhe “rrezik për jetët e civilëve të uritur”.
Rreziqet rriten nga mungesa e organizimit të shpërndarjes së ndihmës kur arrin në tokë.
“Nuk është përfekte”, ka thënë zëdhënësi i Forcës Ajrore të SHBA-së, Ryan DeCamp, kur u pyet nëse hedhja e ndihmave ishte mënyra më e mirë për t’i bërë ballë krizës së urisë në Gaza.
“E dimë se janë dy milionë njerëz që kanë nevojë për ushqim – civilë të pafajshëm që nuk e kanë kërkuar këtë konflikt – dhe ne po u lëshojmë vakte”, ka thënë ai.
BBC-ja ka qëndruar në terren ku parashutat e SHBA-së kanë zbarkuar. Numëroi 11 pako për një ditë. Disa banorë në zonat veriore kaluan ditë duke shikuar nga qielli për aeroplanët e ndihmave.
Izraeli ka hedhur poshtë vlerësimin se Gaza po vuan nga uria, duke thënë se pretendimet se ai po bllokon ndihmën janë të pabaza. Ka akuzuar Hamasin për vjedhje të ndihmave.