Më shumë se 100 organizata humanitare kanë paralajmëruar të mërkurën se “uria masive” po përhapet në Rripin e Gazës, ka raportuar AFP.
Izraeli është duke u përballur me presion të shtuar ndërkombëtar për shkak të situatës katastrofike humanitare në territoret palestineze, ku më shumë se 2 milionë njerëz përballen me mungesë të rëndë ushqimi dhe nevojash të tjera bazike pas 21 muajsh të konfliktit, që u nxit nga sulmi i Hamasit në Izrael.
Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë deklaruar të martën se forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 1,000 palestinezë që përpiqeshin të merrnin ndihmat ushqimore që nga fundi i muajit maj, kur edhe e filloi punën Fondacioni Humanitar i Gazës – i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – duke anashkaluar sistemin ekzistues të drejtuar nga OKB-ja.
Deklarata e përbashkët e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mjekët pa Kufij, “Save the Children” dhe “Oxfam”, ka paralajmëruar se “kolegët tanë dhe ata që ne ndihmojmë po zhduken nga uria”.
Organizatat kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze, hapjen e të gjitha pikave tokësore dhe lejimin e lirë të ndihmave përmes mekanizmave të udhëhequr nga OKB-ja.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ndihmat humanitare po lejohen të hynë në Gazë teksa e kanë akuzuar Hamasin për keqpërdorim të vuajtjeve civile, përfshirë vjedhjen e ndihmave ushqimore për t’i shitur ato me çmime më të larta apo për të hapur zjarr ndaj atyre që i presin furnizimet.
Në deklaratën e tyre, organizatat humanitare kanë bërë të ditur se magazinat e mbushura me ndihma qëndrojnë të paprekura jashtë dhe brenda territorit, pasi janë bllokuar për të hyrë apo për t’u shpërndarë.
“Palestinezët janë të bllokuar në një cikël shprese dhe zhgënjimi, duke pritur për ndihma dhe armëpushim, vetëm që të zgjohen në kushte gjithnjë e më të këqija. Nuk është vetëm mundim fizik, por edhe psikologjik. Mbijetesa u paraqitet si iluzion”, thuhet në deklaratën e përbashkët.