Botë

Macron: Rusia mund të përballet me sanksione të reja nëse s’ka dakordim për armëpushim

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të martën se është në favor të vendosjes së sanksioneve të reja karshi Rusisë gjatë ditëve në vijim, nëse Moska zyrtare dështon të dakordohet rreth armëpushimit në Ukrainë. Ai ka përmendur shërbimet financiare dhe burimet e gazit e të naftës si shënjestra të mundshme.

“Qëllimi ynë është që t’i vendosim sanksione të reja ndaj Rusisë në ditët në vijim, nëse Moska refuzon ta zbatojë armëpushimin”, ka thënë Macron në një intervistë për televizionin francez “TF1”. 
Këto komente të presidentit francez pasojnë ato të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, më herët gjatë ditës së martë, i cili ka deklaruar se aleatët evropianë do të “shtrëngonin sanksionet” mbi Rusinë, nëse presidenti, Vladimir Putin, nuk pajtohet rreth armëpushimit, transmeton agjencia “Reuters”.

Merzi pati cituar gjithashtu disa sektorë, përfshirë energjinë dhe tregjet financiare si shënjestra të mundshme. Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot ka thënë të hënën se Komision Evropian është pyetur në lidhje me propozimin e sanksioneve të reja në këta sektorë përkatës.

Krerët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë thanë njëzëri të shtunën, gjatë vizitës në Kiev, se Rusia do të goditet nga një sërë masash ndëshkuese nëse nuk i përgjigjet thirrjeve për armëpushim 30-ditor.