Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, është kritikuar ashpër pasi e kishte pranuar se konsultohet rregullisht me mjetet e inteligjencës artificiale për një mendim të dytë në rolin e tij në drejtimin e vendit.
Kristersson, partia e të cilit kryeson qeverinë e koalicionit të qendrës së djathtë të Suedisë, ka thënë se përdor mjete duke përfshirë ChatGPT dhe shërbimin francez LeChat. Kolegët e tij gjithashtu përdorën inteligjencën artificiale në punën e tyre të përditshme, sipas tij, raporton The Guardian.
"Unë vetë e përdor mjaft shpesh. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për një mendim të dytë. Çfarë kanë bërë të tjerët? Dhe a duhet të mendojmë krejt të kundërtën? Këto lloj pyetjesh”, ka thënë Kristersson për gazetën suedeze të biznesit "Dagens".
Megjithatë, ekspertët e teknologjisë kanë ngritur shqetësime në lidhje me politikanët që përdorin mjetet e inteligjencës artificiale në një mënyrë të tillë, teksa gazeta "Aftonbladet" ka akuzuar Kristersson në një editorial se "ka rënë pre e psikozës së inteligjencës artificiale të oligarkëve".
"Duhet të jesh shumë i kujdesshëm", ka thënë për Aftonbladet Simone Fischer-Hübner, një studiuese e shkencave kompjuterike në Universitetin Karlstad, duke paralajmëruar kundër përdorimit të ChatGPT për të punuar me informacione të ndjeshme.
Mirëpo zëdhënësi i Kristersson, Tom Samuelsson, ka thënën më vonë se kryeministri nuk ka rrezikuar asgjë me inteligjencn artificiale.
"Natyrisht, nuk është informacioni i ndjeshëm ndaj sigurisë që përfundon atje. Përdoret më shumë si një platformë”, ka thënë ai.
Por Virginia Dignum, një profesoreshë e inteligjencës artificiale në Universitetin Umea, ka thënë se AI nuk është e aftë të japë një mendim kuptimplotë mbi idetë politike dhe se ajo thjesht pasqyron pikëpamjet e atyre që e ndërtuan atë.
“Sa më shumë që ai mbështetet te AI-ja për gjëra të thjeshta, aq më i madh është rreziku i një besimi të tepruar në sistem”, i ka thënë ajo gazetës Dagens Nyheter.
“Ne duhet të kërkojmë që besueshmëria të mund të garantohet. Ne nuk votuam për ChatGPT", ka shtuar ajo.