Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams paditet për korrupsion

Eric Adams

Eric Adams

Foto: Associated Press

Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Eric Adams po përballet me akuza penale federale, sipas CBS News.

Adams, 64 vjeç, u zgjodh për të udhëhequr qytetin më të populluar amerikan, gati tri vjet më parë, me një premtim për të frenuar krimin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por ai dhe një varg zyrtarësh të lartë në orbitën e tij janë përballur me rritje të kontrolleve si pjesë e hetimeve të shumta federale kundër korrupsionit.

Aktakuza do ta bënte Adamsin, 64 vjeç, kryebashkiakun e parë në historinë e qytetit që akuzohet gjatë kohës sa është në detyrë.

Adams lëshoi një videodeklaratë të mërkurën vonë, ku u zotua të luftojë akuzat dhe të qëndrojë në detyrë, duke u kërkuar banorëve të New Yorkut për "lutje dhe durim".

"Unë do t'i luftoj këto padrejtësi me çdo grimcë të forcës dhe shpirtit tim. Unë jam i pafajshëm”, ka deklaruar ai në videofjalim teksa ka njoftuar se planifikon të kërkojë një "gjykim të menjëhershëm në mënyrë që njujorkezët të mund të dëgjojnë të vërtetën".

Mirëpo ai u përball me një mori thirrjesh për të dhënë dorëheqjen.

Prokurorët federalë pritet ta paraqesin aktakuzën të enjten, kur Adams do të dalë para gjykatës, raporton CBS News.

Akuzat e raportuara vijnë më pak se një vit pasi agjentët federalë kapën pajisjet elektronike të Adams dhe kontrolluan shtëpinë e Brianna Suggs, kryesuese e tij për mbledhjen e fondeve.

Më vonë u zbulua se zyra e avokatit amerikan në Manhattan po shqyrtonte nëse ekipi i fushatës së kryebashkiakut Adams komplotoi me qeverinë e Turqisë për donacione të paligjshme në fushatë.

"New York Times" raportoi të hënën se prokurorët thirrën zyrën e fushatës dhe zyrën e kryetarit të bashkisë për informacion në lidhje me pesë vende të tjera: Izraelin, Kinën, Katarin, Korenë e Jugut dhe Uzbekistanin.