Botë

Kritikat e ashpra të Trumpit për OKB-në

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nisur fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën, duke kritikuar ashpër organizatën botërore.

Teksa ka folur për përfundimin e shtatë luftërave gjatë mandatit të tij të dytë, Trumpi ka thënë se OKB-ja nuk ka bërë asgjë për t’i ndalur ato. 

Ai madje i ka quajtur Kombet e Bashkuar një organizatë me fjalë të zbrazëta. 

"Është shumë keq që më është dashur t'i bëj këto gjëra në vend që t'i bënin Kombet e Bashkuara”, ka thënë Trumpi, në fjalimin e tij të parë para OKB-së që nga viti 2020. 

"Mjerisht, në të gjitha rastet, Kombet e Bashkuara as nuk u përpoqën të ndihmonin”, ka shtuar Trumpi.

Ai gjithashtu ka vënë në dukje me përbuzje se dy gjërat që mori nga Kombet e Bashkuara sot ishin: një shkallë lëvizëse e keqe dhe një teleprompter i keq.

Kjo pasi, teksa po hynte në ndërtesën e OKB-së, bashkë me Zonjën e Parë, Melania Trump, nuk funksiononin shkallët lëvizëse.

Gjatë fjalimit të tij, ai ka vazhduar kritikat duke akuzuar OKB-në për lehtësimin e “pushtimit” të vendeve perëndimore nga migrantët.

Trumpi pretendon se OKB-ja po financon një sulm ndaj vendeve perëndimore dhe kufijve të tyre, duke akuzuar organin botëror se u jep karta parash migrantëve që vijnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

"OKB-ja supozohet të ndalojë pushtimet, jo t'i krijojë ato dhe jo t'i financojë ato", është shprehur ai.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

Trumpi do t’i drejtohet sot OKB-së për herë të parë në 5 vjet

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Donald Trump do të targetojë "institucionet globaliste" dhe...