Botë

Kremlini: Bisedimet mes Putinit dhe Witkoffit, të dobishme dhe konstruktive

Vladimir Putin dhe Steve Witkoff

Foto: Associated Press

Ish-ambasadori rus në SHBA dhe ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, u ka thënë gazetarëve se bisedimet e së mërkurës mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff ishin “të dobishme dhe kontruktive”.

Ai ka thënë se Rusia "mori disa sinjale nga Trumpi" dhe "dërgoi disa sinjale" në përgjigje, por nuk ka dhënë detaje se cilat ishin ato.

Ai ka shtuar se Putini dhe Witkoffi diskutuan gjithashtu perspektivat për zhvillimin e "partneritetit strategjik" midis SHBA-së dhe Rusisë.

Vizita e Witkoffit në Moskë ka ndodhur vetëm disa ditë para afatit të vendosur nga Shtëpia e Bardhë, që Rusia të arrijë një marrëveshje paqeje me Ukrainën.

Nëse marrëveshja dështon, Moska mund të përballet me penalitete të rënda ekonomike.

Afati i fundit i Trumpit për Putinin përfundon të premten. Uashingtoni ka kërcënuar me tarifa të rënda dhe penalitete të tjera nëse operacioni ushtarak në Ukrainë vazhdon.

Deri më tani, premtimet, kërcënimet dhe bindjet e Trumpit nuk kanë arritur të ndryshojnë qëndrimin e Kremlinit, dhe ngërçi diplomatik vazhdon.