Historiani i krahut të djathtë, Karol Nawrocki është zgjedhur president i ri i Polonisë në balotazhin e së dielës, ka bërë të ditur komisioni shtetëror zgjedhor (PKW).
PKW-ja ka bërë të ditur se Nawrocki ka fituar 50.9% të votave, përpara kryebashkiakut liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski me 49.1% për qind, raporton BBC.
Është një kthesë e bujshme nga rezultati i exit pollit të parë, i publikuar menjëherë pasi votimi ka përfunduar në orën 21:00 me kohën lokale të dielën, që tregoi se Trzaskoëski fitoi me 50.3% ndaj Nawrockit me 49.7%.
Trzaskowski kishte shpallur fitoren pas exit pol-it të parë.
"Ne fituam, megjithëse shprehja ‘tehu i briskut’ do të hyjë përgjithmonë në gjuhën dhe politikën polake”, u ka thënë Trzaskoëski mbështetësve të tij.
Ndërkaq Nawrocki u kishte thënë mbështetësve të tij pas rezultatit të exit poll-it të parë që të mos i humbin shpresat.
“Do të fitojmë gjatë natës, diferenca është minimale. Besoj se nesër do të zgjohemi me presidentin Karol Nawrocki".
Si presidenti i ri i Polonisë, Nawrocki ka të ngjarë të vazhdojë të përdorë fuqinë e tij presidenciale të vetos për të bllokuar programin pro-BE të kryeministrit polak, Donald Tusk.
Nawrocki mbështet vlerat tradicionale katolike dhe familjare dhe është një mbështetës i fortë i sovranitetit polak brenda BE-së.
Ai është pro mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën por ka thënë se nuk dëshiron ta shohë vendin të bashkohet me NATO-n dhe BE-në gjatë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë.
Presidenti i Polonisë është një rol kryesisht ceremonial me ndikim të kufizuar në politikën e jashtme dhe mbrojtjen, por presidenti mund të vërë veton ndaj legjislacionit. Qeverisë së koalicionit pro-BE të Tuskut i mungon një shumicë parlamentare mjaft e madhe për ta rrëzuar atë.