Botë

Kina hedh poshtë kërkesën e Trumpit për bisedime për denuklearizim

Donald Trump

Foto: Associated Press

Pekini zyrtar ka thënë të mërkurën se është "e paarsyeshme dhe jorealiste" t'i kërkohet vendit të bashkohet në negociatat për çarmatimin bërthamor me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.

Guo Jiakun, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze, i ka bërë këto komente pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se kishte diskutuar kontrollin e armëve bërthamore me presidentin rus Vladimir Putin dhe donte që edhe Kina të përfshihej.

"Forcat bërthamore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë aspak në të njëjtin nivel, dhe mjedisi strategjik i sigurisë dhe politikat bërthamore të të dy vendeve janë krejtësisht të ndryshme", ka thënë Guo.

Kina ndjek një politikë pa përdorim të parë të armëve bërthamore dhe një strategji bërthamore të vetëmbrojtjes, ka thënë ai, duke shtuar se Pekini nuk do të përfshihet në një garë armatimesh me asnjë vend tjetër.

"Vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore duhet të përmbushin me zell përgjegjësitë e tyre të veçanta prioritare për çarmatimin bërthamor", është shprehur Guo.

Trumpi u ka thënë gazetarëve të hënën, përpara takimit të tij me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, se "një nga gjërat që po përpiqemi të bëjmë me Rusinë dhe Kinën është denuklearizimi, dhe është shumë i rëndësishëm".

"Mendoj se denuklearizimi është një qëllim shumë i madh, por Rusia është e gatshme ta bëjë atë, dhe mendoj se edhe Kina do të jetë e gatshme ta bëjë. Nuk mund të lejojmë që armët bërthamore të përhapen. Duhet t'i ndalojmë armët bërthamore. Fuqia është shumë e madhe", ka thënë Trumpi.

Ministri i jashtëm i Malajzisë ka thënë muajin e kaluar se Kina do të nënshkruajë një traktat të Azisë Juglindore që ndalon armët bërthamore në rajon sapo të jetë gati i gjithë dokumentacioni.