Botë

Katari po rivlerëson rolin si ndërmjetës në bisedimet Izrael-Hamas

Lufta në Gaza

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Katari po rivlerëson rolin e tij si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit, ka thënë kryeministri i vendit.

Katari ka pasur një rol kyç së bashku me Egjiptin dhe Amerikën në përpjekjen për të siguruar një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelitë.

Por Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani ka thënë se Doha ishte shfrytëzuar dhe abuzuar dhe ishte duke u minuar nga ata që përpiqeshin të fitonin pikë politike, raporton BBC.

Ai ka thënë gjithashtu se bisedimet aktuale të paqes janë në një "fazë delikate".

Përpjekjet për të siguruar një armëpushim kanë qenë delikate dhe kryesisht të pasuksesshme, por lidhjet që Katari ka me të gjitha palët, duke përfshirë lidhjet e ngushta me Hamasin - konsiderohen si vendimtare për arritjen e ndonjë përparimi.

Ndërmjetësuesit kanë propozuar një armëpushim gjashtëjavor gjatë të cilit Hamasi do të lironte 40 gra, fëmijë dhe pengje të moshuar ose të sëmurë, një ofertë që Hamasi e ka refuzuar publikisht gjatë fundjavës.

Katari tani po vë në dyshim haptazi shanset që këto bisedime të kenë sukses dhe thotë se po rivlerëson rolin e tij si ndërmjetës.

Sheikh Mohammed i Katarit ka thënë se përpjekjet e tij po minoheshin nga politikanët që kërkonin të fitonin pikë.

“Për fat të keq, dua të them, ne kemi parë se ka pasur një abuzim me këtë ndërmjetësim dhe një abuzim të këtij ndërmjetësimi në favor të interesave të ngushta politike”, është shprehur ai në një konferencë për shtyp në Doha.

"Kjo do të thotë se shteti i Katarit ka bërë thirrje për një vlerësim gjithëpërfshirës të këtij roli. Tani jemi në këtë fazë për të vlerësuar ndërmjetësimin dhe gjithashtu të vlerësojmë se si palët angazhohen në këtë ndërmjetësim”, ka shtuar ai. 

Disa zëra kritikë nga brenda Kongresit të SHBA-së kanë kritikuar Katarin se nuk ka bërë presion të mjaftueshëm ndaj Hamasit për të bërë lëshime. SHBA-ja akuzoi grupin e armatosur palestinez si "pengesë për një armëpushim" pasi refuzoi publikisht ofertën e fundit të armëpushimit gjatë fundjavës.