Izraeli ka vazhduar sulmet vdekjeprurëse ndaj Gazës edhe përpara bisedimeve të mundshme për armëpushim, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.
Dhjetëra mijëra palestinezë kanë ikur nga pjesët lindore të qytetit të Gazës në veri të territorit të dielën, pasi Izraeli paralajmëroi për një ofensivë të re të madhe.
Të paktën 25 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite të hënën kanë thënë autoritetet shëndetësore të Gazës.
Dy persona që kërkonin ndihma u vranë gjithashtu nga zjarri izraelit pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në Rafah, kanë thënë burime në kompleksin mjekësor Nasser, raporton The Guardian.
Sulmet vijnë teksa zyrtarët izraelitë pritet të mbërrijnë në Uashington për një përpjekje të re për armëpushim.
Ministri i çështjeve strategjike të Izraelit, Ron Dermer, do të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë më vonë të hënën për bisedime mbi Iranin dhe Gazën, ka thënë një zyrtar izraelit.
Ndërkohë në Izrael, kabineti i sigurisë i Benjamin Netanyahut pritet të mblidhet për të diskutuar hapat e ardhshëm në sulmin e tij të zgjeruar ndaj Gazës.
Kryeministri izraelit është akuzuar për zgjatjen e qëllimshme të negociatave të armëpushimit dhe bllokimin e përparimit të tyre, për të siguruar mbijetesën e tij politike duke bërë që lufta të vazhdojë.