Gjithçka që ndodhi

Izraeli sulmon Iranin, Teherani kundërpërgjigjet

Një nga shpërthimet në Teheran. Foto: Associated Press

Një nga shpërthimet në Teheran

Foto: Associated Press

Izraeli ka realizuar një sulm ajror masiv ndaj Iranit të premten. Operacioni i quajtur “Luani që ngrihet” ka pasur cak mbi 100 objekte, përfshirë zona bërthamore, raketore dhe ushtarake. Gjatë sulmit u vranë figura të larta ushtarake e shkencëtarë bërthamorë. Janë goditur komplekse të pasurimit të uraniumit, por nuk ka pasur rritje të niveleve të rrezatimit. Irani ka nisur hakmarrjen me lëshimin e qindra raketave, që në shumicë u shkatërruan nga mbrojtja e çeliktë ajrore izraelite

Izraeli ka goditur në zemër të kompleksit bërthamor, raketor dhe ushtarak të Iranit në orët e para të mëngjesit të së premtes, në një sulm të pashembullt që ka vrarë disa nga figurat më të fuqishme të Iranit dhe ka futur Lindjen e Mesme në një moment të ri dhe të rrezikshëm.

Sulmet ndaj programit bërthamor të Iranit dhe udhëheqësve të lartë ushtarakë mund të përfaqësojnë një pikë kthese në konfliktin e gjatë. Tani Izraeli është në pritje të një hakmarrjeje të madhe nga Irani. E rrezik real po shihet mundësia që rajoni të përballet me shpërthim të një lufte më të gjerë.

Më vonë gjatë ditës së premte, një pjesë e hakmarrjes së paralajmëruar u nis. Ushtria izraelite bëri të ditur se Irani ka lëshuar më shumë se 100 raketa drejt Izraelit dhe se Izraeli ka filluar “t’i ndërpresë” jashtë kufijve të tij. Disa raketa e depërtuan mbrojtjen e Izraelit, që në reagim kërcënoi edhe më shumë Iranin. Për mbrojtjen e Izraelit u raportua se ka ndihmuar edhe SHBA-ja me forcat e saj. Është raportuar edhe për të lënduar, ndërsa udhëheqësit izraelitë kanë planifikuar menjëherë përgjigjet për sulmet e Iranit.

Paraprakisht lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e ka paralajmëruar Izraelin se do të përballet me “ndëshkim të ashpër” për sulmet dhe ka konfirmuar se disa komandantë dhe shkencëtarë iranianë janë vrarë.

Zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Iranit ka thënë se si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Izraeli do ta “paguajnë shtrenjtë”, ndërsa ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araghchi, e ka klasifikuar sulmin “shpallje lufte”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar të premten se SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në sulmet e realizuara, tek ka theksuar se Izraeli e kishte njoftuar paraprakisht SHBA-në se besonte që “veprimi ishte i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij”.

Të enjten, presidenti Donald Trump veçse pati paralajmëruar për mundësinë se një konflikt masiv në Lindjen e Mesme mund të ndodhte “shumë shpejt”.

Tek ka shkruar në platformën e tij sociale “Truth Social”, Trump i ka bërë thirrje të premten Iranit që ta pranojë një marrëveshje bërthamore “para se të mos mbetet më asgjë”, duke sugjeruar se sulmet pasuese të Izraelit mund të jenë “edhe më brutale”.

Washingtoni zyrtar ka kërkuar prej kohësh ta kufizojë kapacitetin bërthamor të Teheranit. Madje këtë e bëri edhe në negociatat më të fundit që u zhvilluan në Romë muajin e kaluar, por që përfunduan pa marrëveshje. Rundi i gjashtë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit ishte planifikuar të zhvillohej të dielën në Oman – por ende nuk është e qartë nëse do të mbahet apo jo.

Sulmet e Izraelit u realizuan në kohën kur Teherani zyrtar kishte njoftuar se do të shtonte aktivitetet e tij bërthamore, pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike miratoi një rezolutë që konstatonte se Irani nuk po u përmbahet zotimeve të veta për mospërhapjen e armëve bërthamore, kanë bërë të ditur zyrtarë të lartë amerikanë për CNN-in.

Gjatë një fjalimi televiziv, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se operacioni ushtarak kishte “goditur në zemër të programit të armëve bërthamore të Iranit”, dhe se objektivat përfshinin ndërtesën kryesore të pasurimit të uraniumit në Natanz, shkencëtarët bërthamorë iranianë dhe programin e raketave balistike të Iranit.

“Pak çaste më parë, Izraeli nisi operacionin ‘Luani që Ngrihet’, një operacion ushtarak i synuar për të zmbrapsur kërcënimin iranian ndaj vetë ekzistencës së Izraelit”, ka deklaruar Netanyahu të premten në mëngjes. “Ky operacion do të vazhdojë për aq ditë sa të jetë e nevojshme për të eliminuar këtë kërcënim”.

Shpërthime të shumta janë dëgjuar në Teheran, duke tmerruar banorët e tij, teksa disa video të verifikuara nga CNN-i kanë shfaqur flakë dhe tym që ngrihej nga ndërtesa në të gjithë qytetin. Hapësira ajrore e Iranit është mbyllur gjithashtu, sipas autoritetit të aviacionit civil të vendit.

Në deklaratën e ushtrisë izraelite u bë e ditur se avionë luftarakë izraelitë kishin përfunduar gjithashtu një “sulm në shkallë të gjerë” ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore në perëndim të Iranit.

“Si pjesë e sulmeve, dhjetëra radarë dhe lëshues raketash tokë-ajër u shkatërruan”, thuhet në deklaratën e lëshuar.

Sipas autoriteteve iraniane dhe mediave shtetërore, disa nga figurat më të fuqishme të Iranit janë vrarë. Ndër ta janë gjenerali Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si dhe gjeneralmajor Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit dhe oficeri më i lartë ushtarak i vendit.

Disa prej qindra raketave iraniane kanë depërtuar në mburojën ajrore të Izraelit. Foto: Associated Press

Gjithashtu mes të vrarëve janë edhe ish-shefi i sigurisë kombëtare, Ali Shamkhani – një këshilltar kyç i Ayatollah Khameneit, i cili ka shërbyer për gati një dekadë si sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare – dhe Amir Ali Hajizadeh, kreu i Forcave Ajrore të IRGC-së, i cili u vra së bashku me dy komandantë të tjerë të forcave ajrore.

Sipas agjencisë shtetërore Tasnim janë vrarë gjithashtu edhe gjashtë shkencëtarë bërthamorë iranianë.

Të premten, lideri suprem i Iranit menjëherë i ka emëruar komandantë të rinj për të drejtuar strukturat kyç ushtarake, përfshirë gjeneral brigade Mohammad Pakpour, i cili tani është kreu i ri i IRGC-së.

Sulmet e së premtes sugjerojnë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pa një mundësi për të realizuar objektivin afatgjatë të Izraelit për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit.

Irani ndodhet në pozitën më të dobët ushtarake në dekada, për shkak të sanksioneve dërrmuese ekonomike, sulmeve të mëparshme izraelite ndaj mbrojtjes së tij ajrore dhe dobësimit të thellë të aleatëve të tij më të fuqishëm rajonalë, përfshirë Hezbollahun.

Zyrtarë amerikanë kishin thënë më parë për CNN-in se sulmet izraelite ndaj Iranit do të përfaqësonin një shkëputje të hapur nga qasja e mëparshme e Trumpit ndaj Lindjes së Mesme.

Të premten, Trumpi ka deklaruar për CNN-in se SHBA-ja mbështet Izraelin, përderisa e ka vlerësuar sulmin ndaj Iranit si “shumë të suksesshëm”.

Menjëherë disa shtete kanë alarmuar dhe kanë dënuar sulmet e Izraelit. Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite ka thënë se sulmi “minon sovranitetin dhe sigurinë dhe përbën shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa ambasada e Kinës në Iran e ka quajtur situatën komplekse dhe të rëndë.

Banorët në Iran janë përballur me natë të frikshme. “Njerëzit kanë raportuar për lëkundje toke, eksplodime të mëdha e fluturime të aeroplanëve luftarakë mbi kokë”, ka thënë Negar Mortazavi, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën për Politika Ndërkombëtare.

Azzam, një shtetas iranian që jeton afër Saadat Abadit në Teheranin verior, një zonë e sulmuar nga Izraeli ka thënë se është zgjuar nga lëkundjet e shtëpisë. “Isha shumë i frikësuar, në pamundësi që të dija se çka po ndodhte”.

Izraeli ka shpallur gjendjen emergjente, duke mbyllur hapësirën ajrore, shkollat e duke ndaluar tubimet. “Dhjetëra mijëra” ushtarë izraelitë janë ftuar në përgatitje për përballje me hakmarrjen iraniane, ka njoftuar ushtria e Izraelit.

Frika nga lufta më e madhe

Analistët dhe ekspertët kanë paralajmëruar tash e sa kohë se sulmet e Izraelit ndaj kapaciteteve bërthamore iraniane mund të nxisin hakmarrje të ashpër nga Irani dhe kërcënojnë ta çojnë rajonin në luftë në shkallë të plotë.

Dhe nëse Izraeli e Irani përfshihen në një luftë në shkallë më të gjerë, rrezikon tërheqjen e SHBA-së brenda. SHBA-ja është aleati më i afërt dhe furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin. Aktualisht janë 40 mijë trupa amerikane në Lindjen e Mesme. Indikacionet për rrezik u shfaqën në fillim të javës, kur SHBA-ja urdhëroi largimin e personelit jothelbësor nga vendet në Lindjen e Mesme.

Bazuar në mendimet e ekspertëve, sulmet izraelite ndaj zonave bërthamore të Republikës Islamike të Iranit ka gjasa të shënojnë fundin e negociatave bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Objekti që ndodhet në qendër të ambicieve bërthamore të Iranit u përfshi nga flakët të premten, sipas imazheve të publikuara në rrjetet sociale, të cilat janë verifikuar nga CNN-i dhe televizioni shtetëror iranian.

Kompleksi bërthamor në Natanz, një qytet rreth 250 kilometra në jug të Teheranit, konsiderohet si objekti më i madh i pasurimit të uraniumit në Iran. Analistët kanë thënë se ky vend përdoret për të zhvilluar dhe montuar centrifuga për pasurimin e uraniumit – një teknologji thelbësore që e shndërron uraniumin në lëndë djegëse bërthamore.

Agjencia e Energjisë Atomike të Iranit ka konfirmuar se objekti në Natanz është dëmtuar. Kompleksi përfshin struktura mbi dhe nën tokë, por nuk është e qartë se cilat pjesë janë prekur nga sulmi, gjithsesi nuk është raportuar për viktima.

Udhëheqësi i agjencisë bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi, ka deklaruar se nuk ka pasur nivele të larta rrezatimi në Natanz. Objektet e tjera bërthamore në Iran, si ato në Isfahan dhe Fordow, “nuk janë prekur”, ka shtuar Grossi në mesditën e së premtes. Por në mbrëmje, sipas një deklarate të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit nga sulmet nuk ka shpëtuar as objekti në Isfahan.

“Forcat tona kanë shkatërruar një strukturë për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për konvertimin e uraniumit të pasuruar, si dhe laboratorë dhe infrastrukturë shtesë që shërbenin për programin atomik iranian”, thuhet në deklaratë.

Objekti në Isfahan konsiderohet si një ndër pikat më të rëndësishme të kapacitetit bërthamor të Iranit dhe punëson mijëra shkencëtarë, përfshirë edhe laboratorë të ndërlidhur me reaktorët kërkimorë kinezë.

Sulmi nga brenda

Sipas një zyrtari të sigurisë izraelite, shërbimi i inteligjencës “Mossad” kishte futur armë në Iran përpara sulmeve të së premtes, të cilat u përdorën për të goditur mbrojtjen nga brenda vendit.

Zyrtari ka thënë se “është ngritur një bazë për lëshimin e dronëve shpërthyes brenda Iranit dhe se këta dronë u aktivizuan gjatë sulmit të së premtes për të goditur lëshues raketash në një bazë pranë Teheranit”.

Ai ka shtuar gjithashtu se Izraeli kishte “futur armë precize në Iranin qendror dhe i kishte pozicionuar ato pranë sistemeve të raketave tokë-ajër”, dhe se kishte përdorur sisteme goditëse të vendosura në automjete.

Irani operon të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës” në rajon, i cili përfshin aleatë besnikë si Hezbollahu në Liban dhe Houthit në Jemen, si edhe grupe të ndryshme militante në Irak dhe Siri. Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gazë në vitin 2023, sulmet nga këto grupe satelite janë intensifikuar në shenjë solidariteti me palestinezët.

Vitin e kaluar, lufta e ftohtë shumëvjeçare mes Izraelit dhe Iranit u përshkallëzua përmes një sërë sulmesh me raketa nga të dyja palët. Në atë kohë, SHBA-ja e paralajmëroi Izraelin që të mos godiste infrastrukturën energjetike apo bërthamore të Iranit.

Operacioni i së premtes përfaqëson një përshkallëzim shumë më të madh se çdo veprim i mëparshëm. Analistja e sigurisë së CNN, Beth Sanner, ka thënë se eliminimi i Hossein Salamit është i krahasueshëm me eliminimin e kreut të shtabit të përbashkët të ushtrisë amerikane.

“Mund ta imagjinoni çfarë do të bënin amerikanët”, ka thënë ajo.

Sanner ka theksuar se Irani tanimë ndodhet “nën kërcënim ekzistencial”, dhe për këtë arsye, Izraeli pritet të përballet me “një hakmarrje masive, shumë më të madhe se ajo që ka parë në të kaluarën”.

MPJD-ja thirrje qytetarëve të Kosovës në Izrael të qëndrojnë në vende të sigurta

Përveçse në botë, tensionimi i situatës në Lindje të Mesme nxiti shqetësim edhe në Kosovë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Izrael t’i shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta. Në njoftimin e MPJD-së u theksua se kjo thirrje është adresuar në bashkëpunim edhe me Ambasadën e Kosovës në Izrael, duke e marrë parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë në Izrael dhe në rajon.

Lexo përditësimet tjera
iran

Izraeli sulmon Iranin, godet zonat bërthamore dhe ushtarake

Izraeli ka sulmuar kryeqytetin e Iranit të premten dhe ka thënë se ka shënjestruar zonat bërthamore...