Tanket dhe veturat e blinduara janë parë të enjten gjatë kufirit të Izraelit me Rripin e Gazës jugore, në atë që duket të jetë përgatitje për një ofensivë tokësore kundër Hamasit në Rafah, qytetin më jugor të Gazës.
Ofensiva e planifikuar ka ngritur shqetësime tek aleatët e Izraelit, pasi një sulm në Rafah ka potencialin të ketë pasoja të mëdha për më shumë se 1 milion palestinezë që po strehohen atje, raporton AP.
Lufta tashmë ka shtyrë rreth 80% të popullatës së Gazës prej 2,3 milionë banorësh, që të largohen nga shtëpitë e tyre, ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në disa qytete dhe e shtyu Gazën veriore në prag të urisë.
Izraeli i ka miratuar planet ushtarake për ofensivën e tij dhe i ka vendosur trupat dhe tanket në jug të Izraelit, në atë që duket si përgatitje për sulm, ndonëse nuk dihet ende se kur do të ndodhë.
Rreth 1.4 milionë palestinezë - më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës janë bllokuar në qytet dhe në rrethinat e tij.
Banorët në Gaza aktualisht strehohen në kampe çadrash të tejmbushura ose apartamente të mbushura me njerëz dhe janë të varur nga ndihma ndërkombëtare për ushqim.
Sistemet sanitare, objektet mjekësore dhe infrastruktura kritike civile janë gjymtuar në enklavë.