Izraeli do të hapë së shpejti një vendkalim të ri në veri të Gazës për të dërguar ndihma humanitare, kanë bërë të ditur nga Ushtria e Izraelit dhe Ministria e Mbrojtjes, raporton “Associated Press”.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka njoftuar se janë duke punuar në pikën e re kufitare e cila do të hapet në veri.
“Ne po ndërtojmë vendkalimin në veri, një kalim të ri tokësor nga Izraeli në Gazën veriore për të mundësuar që më shumë ndihma të arrijnë te civilët në zonat që kanë qenë sfiduese për qasjen e kamionëve. Këto masa të reja na mundësojnë të sjellim më shumë ndihma dhe kamionë të destinuar për Gazën nga jashtë, duke përfshirë kalimin tokësor me Jordaninë”, është shprehur Hagari.
Izraeli i ka premtuar SHBA-së se do të shtojë vëllimin e ndihmave për Gazën në këmbim të mbështetjes së vazhdueshme amerikane për luftën. Javën e kaluar Izraeli njoftoi se do të hapte një vendkalim tjetër për kalimin e më shumë kamionëve me ndihma.
“Pas vendimit të kabinetit, ne kemi punuar me partnerët ndërkombëtarë për të sjellë më shumë ndihma nga deti nëpërmjet portit të Ashdod-it, të cilat më pas do të transportohen deri në vendkalimet në Gaza”, ka shtuar Daniel Hagari.
Ndërkohë dhjetëra kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza përmes kalimit Rafah të enjten në mëngjes, mes presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit për të lejuar më shumë furnizime që të mbërrijnë në vend.
Midis furnizimeve kishte perime të konservuara dhe produkte për fëmijë.
Para luftës, 500 kamionë që transportonin ushqime, karburant dhe furnizime të tjera hynin në Gaza çdo ditë.
Izraeli në ditët e para të luftës i mbylli kufijtë Gazës, por më pas filloi të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare, por numri i kamionëve që tashmë mbërrijnë mbetet nën mesataren e paraluftës.
Hidhen ndihma të tjera nga ajri në Rripin e Gazës
Ndihma të tjera janë hedhur në Gaza të enjten, derisa luftimet po vazhdojnë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ndihmat e hedhura përmes parashutave ose avionëve janë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të zgjidhur vështirësitë e transportit tokësor të ndihmave.
Izraeli i ka premtuar SHBA-së se do të shtojë vëllimin e ndihmave për Gazën në këmbim të mbështetjes së vazhdueshme amerikane për luftën. Javën e kaluar Izraeli njoftoi se do të hapte një vendkalim tjetër për kalimin e më shumë kamionëve me ndihma.
Edhe Forcat e Armatosura të Francës kanë dërguar të mërkurën ndihma humanitare në Gaza.