Botë

Izraeli bën thirrje për vendosje të sanksioneve ndaj Iranit

Benjamin Netanyahu - kryeministër i Izraelit

Izraeli po bën thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit pas sulmit qw e konsideron të paprecedentë në territorin e tij, raporton BBC.

Kabineti i luftës i Izraelit është takuar, dhe fillimisht nuk ka bërë të ditur se çfarë po planifikon të bëjë. Ndërkohë shefi i shtabit ushtarak ka thënë se sulmi nuk do të mbetet pa përgjigje.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se ai po udhëheq një ofensivë diplomatike kundër Iranit, pasi qeveria po e konsideron ndërmarrjen e një përgjigje ushtarake ndaj Iranit.

Katz u ka shkruar dhjetëra vendeve duke kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit.

“Këtë mëngjes u dërgova letra 32 vendeve dhe fola me dhjetëra ministra të jashtëm dhe figura kryesore në botë duke kërkuar që të vendosen sanksione ndaj projektit të raketave iraniane”, ka shkruar Katz në një postim në rrjetin social “X”. 

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) të shpallet organizatë terroriste, “si një mënyrë për të frenuar dhe dobësuar Iranin”.

Presidenti Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në ruajtjen e sigurisë së Izraelit, duke shtuar se ai dëshiron të parandalojë përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen dhe ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të flasë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.