Italianët kanë nisur t’i braktisin plazhet private këtë verë, për shkak të çmimeve të larta.
Përderisa ata tradicionalisht kanë zgjedhur plazhet e njëjta, me çadra e shtretër në të njëjtin vend, sivjet kjo ndryshoi.
Plazhet private në bregdetin italian ishin për 15 deri 25 për qind më shtrenjtë në korrikun e sivjetme se në vitin e shkuar.
Fabrizio Licordari, president i “Assobalneari Italia”, shoqatë që përfaqëson klubet e plazhit, ka fajësuar rritjen e kostos për jetesë si pasojë e rënies së turizmit.
“Edhe me dy paga, shumë familje po ngecin kah fundi i muajit. Në rrethana të tilla, është e natyrshme që shpenzimet të cilat preken janë ato për luks, argëtim e pushime”, ka thënë ai për agjencinë “Ansa”.
Megjithatë, rënia simbolizon edhe rebelimin ndaj dominimit të plazheve private. Shtretërit e plazhit tani janë 17 për qind më shtrenjtë se para katër vjetësh. Në rajonin e Lazios, për shembull çadra me dy shtretër është rreth 30 euro në ditë, e në disa rajone më luksoze mbërrin deri në 90 euro.
Debati në Itali për çmimet në plazh u shkaktua pasi aktori Alessandro Gassman publikoi një fotografi duke shkruar se rënia në turizëm është për shkak të çmimeve të tepruara.
Kryetari i Federatës së resorteve të plazheve italiane, Maurizio Rustignoli, megjithatë i ka quajtur të pasakta raportimet për shtrenjtim. Sipas tij, kjo ka ndodhur në fare pak zona.