Tensioni Izrael-Iran

Irani kërcënon me zhdukje të Izraelit nëse sulmohet sërish

Ebrahim Raisi në Pakistan

Ebrahim Raisi në Pakistan

Foto: Associated Press

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi ka thënë se një sulm izraelit në territorin iranian do të kishte pasoja serioze dhe do të rezultonte në “asgjë të mbetur” nga Izraeli. 

“Nuk do të mbetet asgjë nga ai entitet nëse Izraeli e sulmon Iranin prapë”, ka thënë Raisi, ka bërë të ditur agjencia shtetërore e lajmeve iraniane IRNA, raporton CNN.

Komentet e Raisit janë bërë në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare treditore në Pakistan, gjatë qëndrimit në një universitet në provincën Punjab.

Presidenti iranian ka paralajmëruar se nëse Izraeli “kryen ndonjë gabim tjetër dhe dhunon sovranitetin e tokave të shenjta iraniane, situata do të jetë ndryshe”.

Paralajmërimi vjen pasi Izraeli të premten kreu një sulm ushtarak brenda Iranit, sipas një zyrtari amerikan, ndonëse Izraeli nuk e ka pranuar zyrtarisht veprimin. 

Zyrtarët në Teheran e kanë minimizuar sulmin e të premtes në mëngjes ndaj Iranit.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranin janë shtuar kur Izraeli kishte sulmuar konsullatën e Iranit në Damask të Sirisë, duke lënë të vdekur disa gjeneralë iranian.

Disa ditë pas, Irani kishte nisur sulme ajrore në drejtim të Izraelit.