Botë

“Ia shpëlanë trurin djalit tim”: familjet e luftëtarëve të PKK-së presin fundin e konfliktit

“Ia shpëlanë trurin djalit tim”: familjet e luftëtarëve të PKK-së presin fundin e konfliktit

Pas një dekade konfliktesh të përgjakshme me Turqinë, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) ka njoftuar shpërbërjen, duke ngjallur shpresa për paqe dhe ribashkime familjare. Megjithatë, procesi zyrtar i çarmatimit nuk ka nisur. Historia prekëse e Leilës, një nëne që pret rikthimin e të birit nga malet Kandil, pasqyron dhimbjen e mijëra familjeve të prekura nga lufta.

Kur Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është e jashtëligjshme, muajin e kaluar njoftoi se do të shpërbëhej dhe do t’i jepte fund kryengritjes së saj dekadashe kundër Turqisë, Leila shpresonte se së shpejti do të ribashkohej me të birin.

Tre vjet më parë, ish-shitësi i sandviçëve u largua nga shtëpia për t’u bashkuar me grupin - i shpallur organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja - në malet e largëta Qandil, pranë kufirit të Irakut me Iranin.

Përveç dy videove që ka dërguar, e fundit në mars, Leila nuk e ka parë që atëherë.

“Kur dëgjova për herë të parë për njoftimin, u gëzova shumë”, thotë Leila, emrin e së cilës e ka ndryshuar BBC-ja, sepse ajo kishte frikë nga hakmarrjet nga grupi.

“Por me kalimin e kohës, asgjë nuk ka ndryshuar”.

Për 40 vjet, PKK-ja ka qenë në luftë me Turqinë në një konflikt që ka vrarë më shumë se 40.000 njerëz, shumë prej tyre civilë, dhe është një nga më të gjatët në botë.

Disa familje me të cilat foli ekipi i BBC-së e dënuan ashpër PKK-në, ndërsa të tjera folën me krenari për mënyrën se si anëtarët e familjes kishin vdekur duke luftuar për grupin dhe mendonin se kjo sakrificë kishte hapur rrugën për bisedime paqeje.

“Moment historik”

Njoftimi i PKK-së se do të ndalonte luftimet u pa si një moment historik për Turqinë, pakicën e saj kurde dhe vendet fqinje në të cilat është përhapur konflikti.

Por që atëherë nuk ka filluar asnjë proces formal paqeje me Turqinë dhe nuk ka armëpushim zyrtar në fuqi, me raportime për vrasje që vazhdojnë nga të dyja palët.

Fillimisht e krijuar me qëllimin për të luftuar për një shtet të pavarur kurd në Turqi, PKK-ja, që nga vitet 1990, ka zhvendosur fokusin për të kërkuar autonomi më të madhe kulturore dhe politike për kurdët.

Leila, e cila jeton në rajonin gjysmautonom të Kurdistanit të Irakut, që kufizohet me Turqinë, thotë se nuk kishte dëgjuar as për PKK-në derisa djali i saj, një kurd irakian në të njëzetat, erdhi në shtëpi një ditë duke folur për ideologjitë e grupit.

Ajo e akuzon grupin se ia “shpëlanë trurin” djalit të saj, duke e bindur se po mbronin pakicën etnike kurde në Turqi, Irak, Siri dhe Iran. Kurdët janë grupi i katërt më i madh etnik në Lindjen e Mesme, por nuk kanë një shtet kombëtar.

Leila thotë se me kalimin e kohës djali i saj filloi të bëhej më i pavarur, duke rregulluar shtratin, duke larë rrobat dhe duke larë enët. Ajo tani beson se PKK-ja po e përgatiste atë për jetën e vështirë që së shpejti do ta jetonte në male.

Ditën që u largua, ai u kthye në shtëpi me tre “shokë” për t’i thënë nënës së tij se do të shkonte në male për të filluar gjashtë muaj stërvitje.

Ajo thotë se u përpoq vazhdimisht ta bindte të mos bashkohej me PKK-në, por ai ishte i vendosur të shkonte.

“Ishte shumë i vendosur. Të debatoja me të, do të kishte qenë e kotë”.

Që atëherë, Leila thotë se ka vizituar rregullisht malet Kandil me shpresën për të parë të birin, por nuk e ka parë kurrë.

“Nëse do të më lejonin ta shihja vetëm një herë në vit, do të isha e lumtur”, thotë ajo.

BBC-ja udhëtoi për në malet Kandil, pasi PKK-ja i dha leje për të filmuar atje, gjë që ndodh rrallë.

Malet, të cilat janë pak të populluara dhe të njohura për bukurinë e tyre natyrore, ndihmojnë që mijëra luftëtarë të PKK-së të mbrohen nga sulmet ajrore turke. Udhëtimi i ekipit të BBC-së zgjati me orë të tëra duke ngarë makinën nëpër rrugë të ngushta dhe me gropa, në një zonë ku ka pak shenja batimi, përveç në ndonjë tokë fermerësh.

Ndërsa ekipi i BBC-së po i afrohej një pike kontrolli të PKK-së, pa fotografi të mëdha të udhëheqësit dhe anëtarit themelues të grupit, Abdullah Oçalan - i burgosur nga Turqia në izolim që nga viti 1999 - të shfaqura nëpër male. Por kur ekipi arriti në pikën e kontrollit, PKK-ja ua mohoi hyrjen.

Më vonë, autoritetet e PKK-së thanë se po zhvillohen bisedime me grupin dhe se nuk donin vëmendjen e medias.

Ata nuk thanë se për çfarë bëheshin bisedimet, megjithëse ministri i Jashtëm i Irakut, Fuad Mohammed Hussein, muajin e kaluar i tha BBC-së se do të zhvilloheshin diskutime me PKK-në, Turqinë, Irakun dhe Qeverinë Rajonale të Kurdistanit rreth mënyrës së dorëzimit të armëve nga grupi.

Çarmatimi nuk diskutohet

Deri më tani, kushtet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje midis Turqisë dhe PKK-së janë të panjohura.

PKK-ja i tha BBC-së në një deklaratë me shkrim se është e sinqertë dhe serioze në lidhje me procesin, duke këmbëngulur se udhëheqësi i saj, Oçalan, duhet të lirohet.

“Topi tani është në fushën e Turqisë. Një proces paqeje nuk mund të zhvillohet bazuar në hapa të njëanshëm”, tha Zagros Hiwa, zëdhënësi i Unionit Demokratik të Komuniteteve të Kurdistanit (KCK), grup i organizatave rajonale kurde, i lidhur me PKK-në.  

Por në një shenjë të mundshme të pengesave që duken përpara, një komandant i lartë lokal, i cili është pjesë e linjës së dytë të lidershipit brenda grupit në Irak, i tha BBC-së në një deklaratë me shkrim se, sipas tij, çarmatimi “nuk është në diskutim”.

Gatishmëria e dukshme e presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, për t’i dhënë fund konfliktit me PKK-në është interpretuar nga disa si një përpjekje për ta tërhequr mbështetjen kurde për një kushtetutë të re për ta zgjatur sundimin e tij 22-vjeçar, gjë që ai e mohon. Ai e ka përshkruar vendimin e PKK-së për t’u shpërbërë si një hap të rëndësishëm drejt “qëllimit për një Turqi pa terrorizëm”.

Duke shkruar në X, presidenti turk tha se një epokë e re ishte gati të fillonte pas “eliminimit të terrorit dhe dhunës”.

Për disa familje, të dashurit e të cilave u vranë duke luftuar për PKK-në, ideja se konflikti mund të përfundojë së shpejti është e hidhur dhe e ëmbël.

Kawa Takoor ishte 21 vjeç, kur u vra dy vjet më parë. Motra e tij, Rondek Takoor, e cila jeton në qytetin kurd të Irakut, Sulaimaniya, e pa për herë të fundit në malet Kandil në vitin 2019.

Duke folur nga shtëpia e familjes, ku fotot e Kawas zbukurojnë muret e dhomës së ndenjes, Rondek thotë se vdekja e vëllait të saj ndryshoi jetën e familjes. “Gjithmonë ëndërroj për të”, thotë ajo me sy të përlotur.

Rondek, e cila është në të njëzetat, ende kujton bisedën e fundit që patën së bashku.

“E pyeta nëse do të donte të kthehej në shtëpi me mua dhe ai tha ‘kurrë’. Ai madje më kërkoi t’i bashkohesha në male”, thotë ajo.

Për Rondekun dhe familjen e saj, të cilët janë pro-PKK-së, shpërbërja e grupit do të ishte një moment “krenarie dhe dhimbjeje, veçanërisht pas humbjes sonë të madhe”.

Ajo beson se “janë sakrificat që kemi bërë dhe martirët që kemi humbur, që hapën rrugën për udhëheqësit që të flasin për paqe”.

Çfarë ndodh më pas është e pasigurt.

Ka pyetje rreth asaj se çfarë do të ndodhte me mijëra luftëtarë turq të PKK-së dhe nëse ata do të lejoheshin të riintegroheshin në shoqërinë turke.

Zyrtarët turq ende nuk kanë thënë nëse këta luftëtarë do të trajtohen si kriminelë dhe do të përballen me ndjekje penale. Por raportet e medias turke kanë sugjeruar se luftëtarët që nuk kanë kryer krime në Turqi mund të kthehen pa frikën e ndjekjes penale, megjithëse udhëheqësit e PKK-së mund të detyrohen të largohen në vende të tjera ose t’u kërkohet të qëndrojnë në Irak.

Është gjithashtu e paqartë se çfarë do të thotë shpërbërja e grupit për grupet e tjera kurde, veçanërisht në Sirinë verilindore, të cilat Turqia i konsideron si degë të PKK-së.

Gjatë luftës civile siriane, forcat turke dhe luftëtarët sirianë të mbështetur nga Turqia nisën një seri ofensive për të kapur zonat kufitare të mbajtura nga një milici kurde siriane e quajtur Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG).

YPG-ja dominon në një aleancë të milicive kurde dhe arabe të quajtura Forcat Demokratike Siriane, të cilat e dëbuan grupin e Shtetit Islamik nga një e katërta e Sirisë me ndihmën e një koalicioni shumëkombësh të udhëhequr nga SHBA-ja.

YPG-ja pretendon se është një entitet i veçantë nga PKK-ja, por Turqia e hedh poshtë këtë dhe e dënon atë si një organizatë terroriste.

Erdogani ka thënë se vendimi i PKK-së për t’u shpërbërë duhet të “mbulojë të gjitha zgjerimet e organizatës në veri të Irakut, Siri dhe Evropë”. Komandanti i SDF-së, Mazloum Abdi, tha se vendimi i PKK-së do të “hapë rrugën për një proces të ri politik dhe paqësor në rajon”.

Megjithatë, ai ka thënë gjithashtu se çarmatimi i PKK-së nuk vlen për SDF-në, e cila nënshkroi një marrëveshje të veçantë për t’u bashkuar me forcat e armatosura siriane në dhjetor.

Në Iran, grupi PJAK, i cili është gjithashtu pjesë e KCK-së, i ka thënë BBC-së se mbështet “procesin e ri” në Turqi, porse nuk po planifikon të çarmatoset ose të shpërbëhet.

PJAK është shpallur organizatë terroriste nga Turqia dhe Irani. Që nga viti 2011, ka pasur një armëpushim de facto midis grupit dhe qeverisë iraniane.

Turqia thotë se PJAK është krahu iranian i PKK-së, por grupet kurde e mohojnë këtë.

“Ky qytet nuk më ka sjellë gjë tjetër veçse dhimbje”

Për nëna si Leila, të gjitha kompleksitetet e politikës dhe ekuilibri i ndërlikuar i fuqive ushtarake në të gjithë rajonin janë të parëndësishme. Ajo që i intereson asaj është që djali i saj të kthehet.

“Ai do të kthehet në shtëpi kur të lodhet nga jeta e rëndë në male, në një moment do të kuptojë se nuk mund ta durojë më”.

Nëse kjo ndodh, Leila planifikon të largohet nga qyteti i tyre i lindjes, ku djali i saj u rekrutua nga PKK-ja.

“Ky qytet nuk më ka sjellë gjë tjetër veçse dhimbje”.