Botë

Hidhet poshtë kërkesa që Gjermania t’i ndalë ndihmat për Izraelin

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Foto: Associated Press

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka refuzuar të martën një kërkesë të Nikaraguas që ta urdhërojë Gjermaninë t'i ndalë ndihmat ushtarake dhe ndihmat e tjera për Izraelin, dhe të rinovojë fondet për agjencinë e ndihmës së OKB-së në Gaza.

Gjykata ka deklaruar se nuk janë hasur kushtet ligjore për të lëshuar urdhra të tillë. 

Gjermania ka argumentuar gjatë dëgjimeve në këtë rast se ajo ka eksportuar lloje të ndryshme të armëve në Izrael, që kur ka nisur ofensiva në Gaza, pas sulmit vdekjeprurëse që Hamasi ka kryer në Izraelin jugor, më 7 tetor, raporton AP.

Nikaragua, një aleat i palestinezëve, thotë se Gjermania është duke e mundësuar gjenocidin, duke dërguar armë dhe mbështetje tjetër për Izraelin. 

Vendimi i së martës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka të bëjë vetëm me urdhrat paraprakë në çështjen që ka të ngjarë të duhen vite për t'u zgjidhur. Gjermania i hedh poshtë akuzat. 

Izraeli, i cili nuk është palë në çështjen midis Nikaraguas dhe Gjermanisë, mohon fuqishëm se sulmi i tij në Gaza përbën akte gjenocidi dhe këmbëngul se po vepron në vetëmbrojtje.

Vitin e kaluar, Afrika e Jugut e akuzoi Izraelin për gjenocid, në të njëjtën gjykatë. Rastet po vijnë në kohën kur aleatët e Izraelit po përballen me thirrje për të ndalur furnizimin me armë për të.