Botë

Hamasi thotë se e pranon armëpushimin vetëm nëse çon në përfundim të luftës

hamas

Hamasi u shpreh të mërkurën se ishte i hapur ndaj një marrëveshjeje për armëpushim me Izraelin, por nuk pranoi drejtpërdrejt propozimin e mbështetur nga SHBA, të shpallur disa orë më parë nga presidenti Donald Trump. Grupi theksoi qëndrimin e tij të mëhershëm se çdo marrëveshje duhet të përfundojë me mbarimin e luftës në Gaza.

Trump deklaroi të martën se Izraeli kishte rënë dakord për një armëpushim 60-ditor në Gaza dhe i bëri thirrje Hamasit ta pranojë marrëveshjen para se situata të përkeqësohet. Udhëheqësi amerikan po shton presionin ndaj qeverisë izraelite dhe Hamasit për të arritur një marrëveshje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve, me synimin për t’i dhënë fund luftës.

Sipas Trumpit, periudha 60-ditore do të shërbente për të punuar drejt përfundimit të luftës — gjë që Izraeli ka deklaruar se nuk e pranon derisa Hamasi të jetë mposhtur plotësisht. Ai tha se një marrëveshje mund të arrihet që javën e ardhshme.

Por përgjigjja e Hamasit, që thekson kërkesën e tyre për përfundimin e luftës, ngriti pikëpyetje mbi mundësinë që oferta e fundit të shndërrohej në një pauzë reale të luftimeve.

Zyrtari i Hamasit, Taher al-Nunu, deklaroi se grupi militant ishte “i gatshëm dhe serioz për të arritur një marrëveshje.”

Ai shtoi se Hamasi është “i gatshëm të pranojë çdo iniciativë që çon qartë drejt përfundimit të plotë të luftës.”

Izraeli ka rënë dakord me "kushtet e nevojshme" për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Gazë, ka thënë presidenti i SHBA-së Donald Trump.