Botë

Hamasi refuzon marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari

Forcat izraelite në Gaza

Forcat izraelite në Gaza

Foto: Associated Press

Një zyrtar i Hamasit i ka thënë agjencisë franceze të lajmeve AFP se për momentin përgjigja ndaj marrëveshjes së propozuar të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari është “negative”, por se diskutimet janë duke u zhvilluar ende.

Zyrtari Suhail al-Hindi ka thënë se qëllimi i Hamasit është që “t’i japë fund luftës”, 

Hamasi po kërkon tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza, me propozimin që më pas të kishte një program të gjatë rindërtimi për territorin, raporton The Guardian. 

Mirëpo kjo është në kundërshtim me qëllimet e deklaruara të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ka sinjalizuar se Izraeli synon të kryejë operacion tokësor në Rafah, pavarësisht nga rezultati i një marrëveshjeje. 

Izraeli argumenton se luftëtarët e Hamasit janë larguar në jug të Rripit. 

“Ne do të hyjmë në Rafah dhe do të eliminojmë batalionet e Hamasit atje me ose pa marrëveshje”, ka deklaruar Netanyahu këtë javë. 

Skema e programit të lirimit të pengjeve që është propozuar besohet të jetë një pauzë 40-ditore në luftime, ndërsa fillimisht gratë lirohen në grupe nga tri, në çdo tre ditë. 

Hamasi dhe grupe të tjera besohet se kanë kapur dhe rrëmbyer rreth 250 njerëz më 7 tetor brenda Izraelit, me 133 prej tyre që mendohet se ende mbahen rob, dhe jo të gjithë besohet se janë gjallë. 

Zyrtari i Hamasit, Hindi, duke folur për AFP-në me telefon nga një vend i panjohur, ka thënë se ka "interesim të madh nga Hamasi dhe të gjitha fraksionet e rezistencës palestineze për t'i dhënë fund kësaj lufte të çmendur ndaj popullit palestinez". 

"Por nuk do të jetë me çdo kusht”, ka shtuar ai, duke theksuar se grupi “nuk mund të ngrejë në asnjë rrethanë flamurin e bardhë apo të dorëzohet para kushteve të armikut izraelit”.

Ndërkohë, The Times of Israel ka raportuar se kabineti i luftës do të takohet të enjten pasdite për të diskutuar “hapat e radhës në negociata, për të arritur një marrëveshje për pengjet”.

Kabineti i luftës përbëhet nga kryeministri, Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe ministri pa portofol, Benny Gantz.