Botë

Gjermania mohon akuzat se po e ndihmon gjenocidin e Gazës

Gjermania

Gjermania e ka mohuar të martën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se po e ndihmon gjenocidin në Gazë duke i shitur armë Izraelit, raporton agjencia "Reuters". Padia ndaj Gjermanisë në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara është ngritur nga Nikaragua. 

Gjermania ka qenë një nga aleatët më të vendosur të Izraelit që nga sulmet e 7 tetorit nga militantët e Hamasit dhe ofensivën pasuese kundër Rripit të Gazës. Është një nga furnizueset më të mëdha të armëve, me gjithsej 326.5 milionë euro pajisje dhe armë ushtarake të dërguara në vitin 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë.

Tania von Uslar-Gleichen, këshilltare ligjore për Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, ka deklaruar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë se çështja e Nikaraguas ishte e nxituar dhe e bazuar në prova të dobëta.

“Gjermania po e bën të pamundurën për të përmbushur përgjegjësinë e saj ndaj popullit izraelit dhe palestinez, me Gjermaninë si donatorin më të madh individual të ndihmës humanitare për palestinezët”, është shprehur Tania von Uslar-Gleichen.

Von Uslar-Gleichen ka thënë se siguria e Izraelit ishte një prioritet për Gjermaninë për shkak të historisë së hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Gjermania ka mësuar nga e kaluara e saj, një e kaluar që përfshin përgjegjësinë për një nga krimet më të tmerrshme në historinë njerëzore”, ka deklaruar ajo.

Të hënën, avokatët për Nikaraguan i kërkuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të urdhërojë Gjermaninë të ndalojë shitjet e armëve në Izrael dhe të rifillojë financimin e agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët, UNRWA.

Ata argumentuan se Berlini ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948 dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare me furnizimin e Izraelit me armë edhe pasi u bë e vetëdijshme se ekzistonte rreziku i kryerjes së gjenocidit në Rripin e Gazës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të dalë me masa të përkohshme mbi rastin e Nikaraguas brenda javësh, por vendimi përfundimtar mund të marrë vite kohë.

Në janar, në përgjigje të një akuze nga Afrika e Jugut, GJND-ja vendosi se pretendimet që Izraeli shkeli disa të drejta të garantuara nga Konventa e Gjenocidit ishin të besueshme dhe urdhëroi marrjen e masave emergjente, duke përfshirë thirrjen për të ndalur çdo akt të mundshëm gjenocidi.