Franca së shpejti do të mund të dërgojë 78 lansues të raketave “Cezar”, dhe do të rrisë furnizimin e saj me predha, për të përmbushur nevojat urgjente të Kievit për municion në luftën e saj kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, ka bërë të ditur të martën ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu.
Ai ka thënë në një konferencë shtypi se wshtw arritur një marrëveshje midis Francës, Ukrainës dhe Danimarkës për financimin e makinës vetëlëvizëse të artilerisë, raportoi AP.
Franca ka vendosur gjithashtu një objektiv që të dorëzojë 80,000 predha për armë 155 mm në Ukrainë këtë vit - nga 30,000 të dorëzuara që nga fillimi i luftës, më 24 shkurt 2022.
Përveç kësaj, Franca po merr pjesë në një përpjekje për të identifikuar rezervat e disponueshme të barutit dhe municionit që mund të bliheshin nga vende jashtë Bashkimit Evropian, një plan i nisur nga Republika Çeke për të mbështetur më tej Kievin.
Sipas planit, çekët kërkojnë të marrin 800,000 predha artilerie për Ukrainën. Udhëheqësit çekë thanë më parë se predhat e para duhet të dorëzohen në Ukrainë jo më vonë se qershori. Të paktën 18 vende i janë bashkuar nismës, sipas zyrtarëve në Pragë.
Në fillim të këtij muaji, Gjermania, Franca dhe Polonia u zotuan të prokurojnë më shumë armë për Kievin dhe të rrisin prodhimin e pajisjeve ushtarake, duke premtuar se Ukraina mund të mbështetet në treshen e fuqive evropiane ndërsa përpiqet të kapërcejë mungesën e burimeve ushtarake.
Lecornu argumentoi se vendet evropiane duhet të zvogëlojnë varësinë e tyre në SHBA-në për të garantuar sigurinë e kontinentit.