Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i kanë bërë thirrje Iranit që të kërkojë “zgjidhje të negociuar”, në përpjekje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit përmes mjeteve diplomatike. Ata gjithashtu kanë sqaruar se nuk kanë marrë pjesë në sulmet e fundit.
Në një deklaratë të rrallë të përbashkët, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer i bënë thirrje shtetit iranian që t’i lejojë popullit të vet të përcaktojë të ardhmen, ndërsa dënuan sulmet hakmarrëse të Teheranit ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Franca, Gjermania dhe Britania i kanë kërkuar vazhdimisht regjimit iranian që t’i japë fund programit bërthamor, të kufizojë programin e raketave balistike, të përmbahet nga aktivitetet destabilizuese në rajon dhe në vendet tona, si dhe të ndalë dhunën dhe shtypjen e tmerrshme ndaj popullit të vet. Ne nuk kemi marrë pjesë në këto sulme, por jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët në rajon”, thuhet në reagim.
Liderët riafirmuan angazhimin e tyre për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e jetës së civilëve.
“Ne i dënojmë në termat më të ashpër sulmet iraniane ndaj vendeve në rajon. Irani duhet të përmbahet nga sulmet ushtarake pa dallim. I bëjmë thirrje udhëheqjes iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar. Në fund, popullit iranian duhet t’i lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se po shqyrton “rrugë diplomatike” me vendet arabe dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë “përmbajtje maksimale” për të mbrojtur civilët dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.