Forcat izraelite thelluan inkursionin e tyre në veri dhe jug të Rripit të Gazës të premten dhe zyrtarët palestinezë shëndetësorë thanë se nga granatimet në Rafah kanë mbetur të vranë të paktën 11 persona.
Banorët dhe mediat e Hamasit kanë raportuar se tanket kanë vazhduar në perëndim në lagjen Shakoush të Rafah, duke detyruar mijëra njerëz të zhvendosur atje të linin tendat e tyre në kampe dhe të shkonin drejt veriut.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar lidhur me sulmet, raporton Reuters.
Që nga 7 maji, tanket kanë avancuar në disa rrethe të Rafahut dhe forcat izraelite kanë nën kontroll të gjithë vijën kufitare me Egjiptin, përfshitë pikëkalimin Rafah, e vetmja portë hyrëse për ndihma për shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës.
Më shumë se tetë muaj që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, që nisi pas sulmit ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, grupet e armatosura të Hamasit dhe Xhihadit Islamik vazhdojnë të organizojnë sulme ndaj forcave izraelite që veprojnë në zonat mbi të cilat ushtria njoftoi se kishte marrë kontrollin muaj më parë.
Përpjekjet e ndërmjetësve arabë për armëpushim, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, deri më tani kanë dështuar. Sipas grupit militant Hamas çdo marrëveshje duhet t’i japë fund luftës dhe të sjellë tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, ndërsa Izraeli thekson se do të pranojë vetëm pauza të përkohshme në luftime derisa Hamasi, i cili ka sunduar Gazën që nga viti 2007, të çrrënjoset.
Kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hynë në jug të Izraelit tetorin e kaluar, ata vranë rreth 1200 njerëz dhe morën peng më shumë se 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.