Botë

Forcat britanike mund të vendosen në Gaza për shpërndarjen e ndihmave

Ndihma per Gazan

Foto: Associated Press

Trupat britanike mund të vendosen në terren në Gaza për të ndihmuar në shpërndarjen e ndihmës që shkon përmes detit, ka mësuar BBC.

SHBA-ja ka thënë se forcat amerikane nuk do të vendosen dhe se një “palë e tretë”, të cilës nuk i ka dhënë emër, do të drejtojë kamionët në terren.

Por, Britania mund ta konsiderojë që t’ua japë këtë detyrë trupave të saj kur korridori i ndihmës të hapet muajin e ardhshëm.

Britania është angazhuar për së afërmi në planifikimin e operacionin të ndihmës dhe ministri i Mbrojtjes, Grant Shapps, ka thënë se Britania vazhdon të ketë “një rol kryesor në shpërndarjen e ndihmës në koordinim me SHBA-në dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë”.

Roli i trupave do të ishte nxjerrja e kamionëve në tokë dhe shkarkimi i ndihmës në një zonë të sigurt. Megjithëse përpjekje e madhe do të duhej të ndërmerrej për të mbrojtur forcat, trupat britanike potencialisht do të përballen me rrezik të lartë nga një sulm nga Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura.

Ndihma do të dërgohej nga Qiproja me anije të mëdha.