Botë

Fondacioni Humanitar në Gazë mbyll të gjitha pikat e ndihmës, shkak të shtënat vdekjeprurëse

gaza

Foto: Associated Press

Fondacioni i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, që shpërndan ndihma në Rripin e Gazës, ka lajmëruar të premten se të gjitha pikat e shpërndarjes së ndihmës janë mbyllur deri në njoftimin e radhës, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë sa më larg këtyre vendeve “për sigurinë e tyre”, pas një serie të shtënash vdekjeprurëse, ka raportuar Reuters.

Fondacioni Humanitar i Gazës (FHG), i cili javën e kaluar filloi të shpërndante ushqime për palestinezët e uritur brenda enklavës të shkatërruar nga lufta, ka bërë të ditur se data e rihapjes do të njoftohet më vonë. 

FHG hapi dy pika shpërndarjeje në Gazën jugore të enjten, pasi i kishte mbyllur të gjitha qendrat një ditë më parë për shkak të të shtënave në afërsi të operacioneve të saj. Deri më tani, organizata ka operuar në katër qendra shpërndarjeje.

Fondacioni në fjalë anashkalon agjencitë tradicionale të ndihmës dhe është kritikuar nga organizatat humanitare, përfshirë Kombet e Bashkuara, për mungesë të supozuar neutraliteti, akuzë të cilën ajo e mohon.

FHG ndërpreu shpërndarjet e ushqimeve të mërkurën, teksa bëri të ditur se po ushtronte presion mbi forcat izraelite për të përmirësuar sigurinë e civilëve jashtë perimetrit të operacioneve të saj, pasi dhjetëra palestinezë u qëlluan për vdekje pranë vendit në Rafah për tre ditë radhazi. 

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kishin njoftuar disa ditë më parë se ushtarët kishin qëlluar në ajër si shenjë paralajmërimi, përpara se të gjuanin në drejtim të palestinezëve që, sipas saj, po i afroheshin trupave ushtarake. 

Nga ana tjetër, Izraeli ka përshkallëzuar sërish ofensivën kundër grupit militant Hamas në Gaza, që nga ndërprerja e armëpushimit në muajin mars.