Historiani suedez, Johan Norberg, bën thirrje që Evropa të zgjohet nga vetëkënaqësia dhe të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur dhe çuar përpara rendin liberal ndërkombëtar, veçanërisht tani që SHBA-ja po tërhiqet nga roli i saj udhëheqës.
Historiani dhe autori suedez Johan Norberg e konsideron epokën në të cilën jetojmë si një “epokë të artë”, por paralajmëron se kjo arritje historike është e brishtë. Në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai bën thirrje që Evropa të zgjohet nga vetëkënaqësia dhe të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur dhe çuar përpara rendin liberal ndërkombëtar, veçanërisht tani që SHBA-ja po tërhiqet nga roli i saj udhëheqës.
Norberg thekson se gjatë dy shekujve të fundit njerëzimi ka bërë përparime të mëdha: varfëria ekstreme është reduktuar ndjeshëm, vdekshmëria e fëmijëve është përgjysmuar dhe liritë individuale janë zgjeruar globalisht. Por që nga kriza financiare e vitit 2008 ka nisur një kthesë: autoritarizmi po forcohet dhe rendi tregtar ndërkombëtar i bazuar në rregulla janë në rrezik. Lufta në Ukrainë, pandemia dhe trazirat gjeopolitike janë shenja të një epoke më të pasigurt.
Në këtë kontekst, Norberg vë theksin te nevoja që Evropa të marrë përgjegjësinë për të mbrojtur themelet e rendit liberal. Ai kujton se suksesi i pasluftës së Dytë Botërore erdhi nën kujdesin amerikan, por tani SHBA-ja po humb durimin me Evropën, që shpesh përfiton, por kontribuon pak. Ai pyet: a është Evropa e gatshme të udhëheqë? Për Norbergun, kjo do të nënkuptonte jo vetëm më shumë angazhim në mbrojtje dhe diplomaci, por edhe forcim të institucioneve ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë.
Ai kritikon vetëkënaqësinë evropiane, që, sipas tij, ka sjellë mungesë ambicieje dhe ngadalësi në fusha si inteligjenca artificiale. Evropa ka rregullore për teknologjitë e reja, por jo kompani që i zhvillojnë ato. Shumë sipërmarrës të talentuar evropianë janë zhvendosur në Kaliforni – dhe kjo, sipas Norberg, është pasojë e një klime që favorizon stabilitetin dhe jo guximin.
Si zgjidhje, ai sugjeron një rikthim në shpirtin e “athinasve”: kurajozë, të hapur ndaj inovacionit dhe me vullnet për ndryshim. Pavarësisht kësaj, Norberg vëren se sot Evropa po sillet më shumë si Sparta – duke ruajtur status quonë dhe duke mbrojtur sektorë të vjetër si industria automobilistike apo bujqësia, në vend që të nxisë zhvillimin e kompanive të së ardhmes. Ai thekson se përparimi kërkon sakrifica – modelet e vjetra duhet të vdesin që të lindin të rejat.
Për Norbergun, inovacioni – dhe jo frenimi i zhvillimit – është çelësi për një ekonomi të qëndrueshme ekologjikisht. Rreth 40 vende në botë kanë arritur të rrisin ekonominë duke ulur emetimet, përfshirë Gjermaninë dhe disa shtete të tjera evropiane.
Në fund të bisedës me gazetën gjermane, Norberg sheh shpresë te vendet e Evropës Lindore – si Polonia dhe shtetet baltike – që, të stërvitura nga përvoja e varfërisë, kanë etje për progres dhe mund të shërbejnë si shembull për pjesën tjetër të kontinentit. Por ai paralajmëron se edhe këto vende mund të mbyllen në vete nëse triumfon mendësia spartane e frikës dhe ruajtjes.
Sipas tij, historia është gjithmonë një betejë midis mendësisë athinase dhe asaj spartane. Dhe nëse Evropa nuk zgjedh të jetë sërish si Athina – duke eksploruar, rrezikuar dhe krijuar – atëherë rrezikon të ngelet pas dhe të humbasë gjithë atë që ka arritur. Për të ruajtur përparimin, ne duhet të ndryshojmë, thekson Norberg.
Përgatitit E.R.