Ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry ka thënë të mërkurën se shteti i tij do t’i bashkohet rastit për gjenocid kundër Izraelit, të ngritur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Duke folur për televizionin shtetëror Al Qahera, Shokry ka thënë se “është e nevojshme të ndërmerren hapa të nevojshëm për ta shtyrë Izraelin që ta ndalë aksionin ushtarak, dhe të ketë në konsideratë shkatërrimin humanitar që po ndodh në Rripin e Gazës", raporton AP.
“Nuk ka asnjë shtet që është mbi përgjegjësinë në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.
Diplomatët kryesorë egjiptian po ashtu kanë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të “marrin masat e nevojshme” për ta shtyrë Izraelin që ta ndalë luftën në Gaza.
Rreth 80% e popullatës së Gazës, prej 2,3 milionë palestinezësh janë larguar nga shtëpitë e tyre që kur ka nisur lufta, derisa shumë prej tyre janë rizhvendosur shumë herë.
Ndërkohë, në dy javët e fundit nuk kanë arritur të hyjnë ndihma në Gaza, përmes dy kalimeve kryesore kufitare në Gazën jugore. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 1,1 milionë palestinezë janë buzë urisë.
Shtatë muaj lufte kanë lënë të vdekur më shumë se 35,000 njerëz në Gaza, shumica prej të cilëve gra dhe fëmijë, sipas të dhënave shëndetësore lokale.
Lufta ka nisur më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor, duke vrarë të paktën 1,200 njerëz, shumica e të cilëve civilë, dhe duke marrë rreth 250 pengje.
Nga Izraeli thonë se militantët e Hamasit janë duke mbajtur rreth 100 pengje, dhe trupat e më shumë se 30 të tjerëve.