Një vajzë e re nga Haiti, e mbijetuar e dhunës seksuale, është duke rritur foshnjën e saj, të cilën autoritetet shëndetësore e kanë këshilluar ta abortonte. Ajo ka zgjedhur ta vazhdojë shtatzëninë, duke e përshkruar këtë fëmijë si ndoshta të vetmin që do të ketë në jetë. Dhuna seksuale është njëri prej elementeve të krizës që e ka ngufatur Haitin. Bandat famëkëqija shquhen për sulmet që kryejnë nëpër lagje, duke lënë të vrarë dhjetëra njerëz. Nga këndvështrimi i të mbijetuarave, është e qartë se bandat e kanë shfrytëzuar përdhunimin si mjet për të terrorizuar dhe nënshtruar komunitete të ndryshme
Helena ishte 17-vjeçare kur bandat e armatosura sulmuan lagjen e saj në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince.
Ajo përkëdhel vajzën e saj të vogël, që po fle në prehrin e saj, teksa tregon se si burra të armatosur e rrëmbyen kur po përpiqej të ikte dhe e mbajtën për më shumë se dy muaj.
“Ata më përdhunuan dhe ushtruan dhunë fizike ndaj meje për çdo ditë. Disa burra të ndryshëm. As nuk i dija emrat e tyre, ata ishin të maskuar”, ka thënë gruaja e re, emrin i së cilës është ndryshuar nga BBC-ja për t’ia mbrojtur identitetin. “Disa nga gjërat që ata m’i bënë mua janë shumë të dhimbshme për t’u ndarë me juve”.
“Mbeta shtatzënë, mjekët më thoshin vazhdimisht se duhej ta ndërprisja shtatzëninë dhe unë u thashë ‘jo’. Kjo foshnjë mund të jetë e vetmja që do të kem ndonjëherë”, ka thënë ajo.
Ajo ia doli të arratisej teksa bandat kriminale po luftonin për të ruajtur territorin. Tani 19-vjeçare, ajo e ka kaluar vitin e fundit duke rritur vajzën e saj në një shtëpi të sigurt në periferi të qytetit.
Në shtëpinë e sigurt strehohen të paktën 30 vajza dhe gra të reja, që flenë në shtretër marinari në dhoma të lyera me ngjyra të gjalla.
Për nga mosha Helena është më e vjetra që i ka mbijetuar përdhunimit. Vajza më e re në shtëpi është 12-vjeç. Duke luajtur dhe vallëzuar në ballkon me një fustan blu me pika të bardha, ajo duket shumë më e vogël sesa mosha që e ka, pasi ka vuajtur nga kequshqyerja në të kaluarën. Stafi i ka treguar BBC-së se ajo është përdhunuar disa herë.
Përdhunimi dhe dhuna në baza seksuale është rritur në Haiti, përderisa bandat e armatosura zgjerojnë kontrollin e tyre përgjatë Port-au-Princeit dhe përtej.
Shteti ishullor i Karaibeve është përfshirë nga vala e madhe e dhunës së bandave që prej vrasjes së presidentit të atëhershëm, Jovenel Moïse, në vitin 2021.
Është e vështirë të matet shkalla e dhunës seksuale. Organizata bamirëse “Médecins Sans Frontières” (MSF) drejton një klinikë në qendër të Port-au-Prince për gratë që kanë përjetuar abuzim seksual. Të dhënat e ndara ekskluzivisht me BBC-në kanë treguar se numri i pacientëve është trefishuar që prej vitit 2021.
Këto banda famëkëqija shquhen për sulmet që kryejnë nëpër lagje, duke lënë të vrarë dhjetëra njerëz.
Sipas MSF-së, përdhunimi i grave dhe vajzave të moshave të reja është shpeshherë pjesë e sulmeve në shkallë të gjerë. Nga këndvështrimi i të mbijetuarave, është e qartë se bandat e kanë shfrytëzuar përdhunimin si mjet për të terrorizuar dhe nënshtruar komunitete të ndryshme.
BBC-ja i ka sfiduar liderët e këtyre bandave, duke i pyetur në lidhje me vrasjet dhe përdhunimet. Njëri prej tyre i kishte thënë BBC-së më parë se nuk i kontrollojnë veprimet e anëtarëve të tyre dhe besojnë se e kanë për “detyrë” ta luftojnë shtetin. E një tjetër ka shtuar se “kur luftojmë, jemi të pushtuar – nuk jemi më njerëz”.
“Pacientet kanë filluar të ndajnë ngjarje shumë, shumë të vështira që prej vitit 2021”, ka thënë Diana Manilla Arroyo, drejtoreshë e misionit të MSF-së në Haiti.
“Të mbijetuarat flasin për dy, katër ose shtatë, madje për 20 agresorë”, është shprehur ajo, tek ka shtuar se më shumë gra tanimë janë kërcënuar me armë ose janë goditur derisa e kanë humbur vetëdijen.

“Isha me vajzën time 6 vjeçe, e përdhunuan edhe atë”
“Gratë po raportojnë gjithashtu se sulmuesit e tyre janë nën 18 vjeç”, ka bërë të ditur Arroyo.
Në një qendër strehimi që ndodhet në pjesën tjetër të qytetit, katër gra – me moshë nga fundi i të 20-ave deri në 70 vjeç – e kanë përshkruar momentin se si janë sulmuar para fëmijëve dhe burrave të tyre.
“Lagjen tonë e sulmuan, unë u ktheva në shtëpi vetëm për të gjetur nënën, babanë dhe motrën time të vrarë. I vranë dhe pastaj dogjën shtëpinë, me ta brenda”, ka thënë njëra grua.
Pas vëzhgimit të shtëpisë së saj të shkatërruar, ajo po përgatitej të largohej nga lagjja kur u ndesh papritmas me anëtarët e bandave. “Ata më përdhunuan – Isha me vajzën time 6-vjeçare. Ata e përdhunuan edhe atë”, ka vazhduar ajo. “Pastaj e vranë vëllain tim të vogël para syve tanë”.
“Sa herë që vajza ime më shikon, ajo mërzitet dhe fillon të qajë”.
Gratë e tjera i kanë rikujtuar sulmet që përkojnë me të njëjtin model – vrasje, përdhunim dhe zjarrvënie.
Dhuna seksuale është njëri prej elementeve të krizës që e ka ngufatur Haitin. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë njoftuar se më shumë se një e dhjeta e popullsisë - rreth 1.3 milionë persona – janë larguar nga shtëpitë e tyre, teksa gjysma e popullatës përballet me uri akute.
Haiti nuk ka pasur udhëheqje të zgjedhur që nga vrasja e Moïses. Një Këshill Presidencial i Përkohshëm dhe një seri kryeministrash të emëruar prej tij janë ngarkuar me drejtimin e vendit dhe organizimin e zgjedhjeve.
Bandat rivale kanë lidhur aleanca, duke e shënjestruar shtetin e Haitit më shumë sesa njëra-tjetrën.
Që nga vizita e fundit e BBC-së në dhjetorin e vitit të kaluar, situata është përkeqësuar. Qindra mijëra njerëz të tjerë janë zhvendosur. Më shumë se 4.000 persona janë vrarë në gjysmën e parë të vitit 2025, krahasuar me 5.400 në tërë vitin 2024, sipas OKB-së.
Vlerësohet se bandat kanë rritur kontrollin e tyre nga 85 për qind në 90 për qind të kryeqytetit, duke marrë nën kontroll lagjet kyç, rrugët tregtare dhe infrastrukturën publike, pavarësisht përpjekjeve të forcës së sigurisë të drejtuara nga Kenia dhe të mbështetura prej OKB-së.
Ekipi i BBC-së i ishte bashkuar forcës ndërkombëtare, teksa ata patrullonin një zonë të kontrolluar nga bandat, por brenda pak minutash, njëra nga gomat e automjetit të tyre të blinduar ishte qëlluar dhe operacioni kishte përfunduar.
Anëtarët e forcës ndërkombëtare dalin rrallëherë nga automjetet e tyre të blinduara. Ekspertët kanë bërë të ditur se bandat vazhdojnë të sigurojnë armë të fuqishme dhe të ruajnë avantazhin.
Në muajt e fundit autoritetet haitiane kanë kontraktuar mercenarë për të ndihmuar me rikthimin e kontrollit.
Një burim brenda forcave të sigurisë haitiane ka thënë për BBC-në se kompani private ushtarake, përfshirë një nga SHBA-ja, po operojnë në terren dhe po përdorin dronë për të sulmuar krerët e bandave.
Ai i ka treguar ekipit të BBC-së disa pamje të dronëve që kanë synuar ta vrasin kreun e njërës prej bandave, Ti Lapli. Ai ka shtuar se Ti Lapli ka mbetur në gjendje kritike, megjithëse BBC-ja nuk ka mundur ta konfirmojë këtë.
Mirëpo nëpër qytet, frika nga bandat mbetet ende e fortë. Në shumë lagje, grupet të komunitetit po marrin sigurinë në dorën e vet, duke rritur edhe më shumë numrin e të rinjve me armë nëpër rrugë.
“Ne nuk do t’i lejojmë ata [bandat] të vijnë këtu dhe të na vrasin – të na vjedhin gjithçka që kemi, të djegin makina, të djegin shtëpi, të vrasin fëmijë”, ka thënë një burrë me pseudonimin “Mike”.
Ai ka thënë se është anëtar i një grupi në Croix-des-Prés, zonë kjo tregtare pranë territorit të kontrolluar nga bandat.

“Vendi më i keq në botë për të qenë grua”
Ndërkaq në distancë dëgjohet zhurma e të shtënave, askush nuk lëviz. Njerëzit këtu janë mësuar me këtë.
Ai ka njoftuar se bandat paguajnë djem të rinj për t’iu bashkuar atyre dhe vendosin pika kontrolli ku kërkojnë para nga banorët që kalojnë.
“Sigurisht që të gjithë kanë frikë”, ka deklaruar ai për BBC-në. “Ndihemi të vetmuar duke u përpjekur të mbrojmë gratë dhe fëmijët. Ndërsa bandat vazhdojnë të përhapen, e dimë që zona jonë mund të jetë e radhës”.
Agjencitë humanitare kanë lajmëruar se situata po përkeqësohet dhe gratë janë ndër më të prekurat, me shumë prej tyre që përballen me dy trauma të mëdha: dhunën seksuale dhe zhvendosjen.
Lola Castro, drejtoresha rajonale e Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, ka bërë të ditur se Port-au-Prince “është vendi më i keq në botë për të qenë grua”.
Ajo ka shtuar po ashtu se gratë do të penalizohen edhe prej reduktimit në programet humanitare.
Shteti i Haitit ka qenë ndër përfituesit më të mëdhenj të financimit nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila ka përjetuar ndryshime të mëdha nën presidentin amerikan, Donald Trump.
Kur ekipi i BBC-së e pati vizituar vendin në muajin qershor, Castro kishte thënë se Programi Botëror i Ushqimit po shpërndante ndihmat e fundit humanitare të financuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka argumentuar se ndihmat humanitare i mbrojnë gratë, duke i mbajtur ato sa më larg rrugëve.
E Manilla Arroyo nga MSF-ja është shprehur se financimi për mbrojtjen nga shtatzënia e padëshiruar është tkurrur gjithashtu.
“Shumë nga pacientet tona tashmë kanë fëmijë. Shumë prej tyre janë nën moshën 18-vjeçare. Rreziku i shtatzënisë përbën shumë, shumë sfida të reja për to”, ka theksuar Arroyo.
Helene dhe gratë e tjera në shtëpinë e sigurt shpeshherë ulen dhe bisedojnë së bashku pranë një ballkoni që shikon mbi kryeqytet, porse shumë prej tyre kanë frikë të largohen nga siguria e mureve të saj.
Ajo s’e ka as idenë më të vogël se si do të kujdeset për vajzën e saj gjersa ajo rritet.
“Gjithmonë kam ëndërruar të shkoj në shkollë, të mësoj dhe të bëj diçka me veten time”, ka thënë ajo. “Gjithmonë e dija që do të kem fëmijë, thjesht jo kaq e re”.