Botë

Dëshmitari pretendon se kishte marrëveshje me Trumpin për “bllokimin e storieve negative”

Donald TRump

Foto: Associated Press

Një botues i famshëm ka përshkruar planin sekret që kishte me Donald Trumpin dhe avokatin e tij personal Michael Cohen, duke e quajtur si “marrëveshje mes miqsh”, raporton “BBC”. 
Prokurorët të martën e morën në pyetje ish-botuesin e “National Enquirer”, David Pecker, për gati tri orë. 

Ai tha se së bashku me Trumpin e Cohenin kishin punuar për t’i bllokuar storiet negative për Trumpin gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016. 

“Kjo mund të jetë shumë e madhe, kështu që besoj se duhet të hiqet”, tha Pecker, se e këshillonte ish-presidentin të “vriste” artikuj të caktuar. 

Dëshmia e Peckerit mund të jetë provë kyç për prokurorinë ndërsa ajo po tenton të dëshmojë se Trumpi tentoi të ndikonte në zgjedhjet e vitit 2016, duke shuar një histori të një afere të supozuar. 
Trumpi është deklaruar i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave biznesore. 
Prokurorët pretendojnë se Trumpi tentoi të mbulonte një pagesë prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels. Pretendohet se pagesa ishte bërë që Daniels të mos dilte publikisht me storien për aferën e pretenduar me Trumpin. 

Është gjyqi i parë penal që po mbahet ndaj një ish-presidenti të SHBA-së. 

Botuesi Pecker, që ka nisur dëshminë të hënën, tha se u takua me Trumpin në fund të viteve 80’ dhe se ishin miq të mirë. 

Të dy kishin një marrëdhënie “që ishte në përfitim” të të dyja palëve, siç tha ai. Trump i jepte informata ekskluzive, të tilla si lajme për konkurrentët në reality-shoun e tij televiziv, The Apprentice. Kjo ndihmoi në rritjen e shikueshmërisë për shfaqjen e po ashtu për “Natioal Enquirer”, tha Pecker. 
Menjëherë pasi Trumpi lansoi kandidaturën e tij të parë presidenciale, Pecker tha se u takua me Cohenin dhe Trumpin në gusht të vitit 2015. Atje Pecker tha se u dakorduan për të bllokuar lajmet negative për Trumpin dhe të promovohen storiet pozitive për të. 

Botuesi i tabloidit po ashtu tha se pranoi ta njoftonte Trumpin për storiet që kishin të bënin me lidhjet e tij romantike. Pecker foli në detaje për dy storie që kishin punuar “t’i vrisnin”. 
Njëra ishte nga Dino Sajudin, një ish-portier i Trump Tower, që Pecker thotë se tentoi t’ia shiste një storie në vitin 2015 në lidhje me thashethemet  se Trumpi kishte një fëmijë jashtëmartesor. 
Pas hetimeve, Pecker tha se gjeti që pretendimet ishin “1000% false”. 

Por, ai ra dakord me Cohenin që t’ia paguante Sajudinit 30 mijë dollarë për të drejtat e përhershme të historisë, sepse “do të kishte qenë shumë e turpshme për fushatën” nëse do të dilte, tha Pecker. 
Po ashtu Pecker u pyet në lidhje me marrëveshjen për heshtje që ishte bërë me modelen e “Playboyt”, Karen McDougal. Ajo pretendoi se kishte pasur lidhje të gjatë me Trumpin, por Trumpi e ka mohuar këtë. 

Pecker tha se e kishte këshilluar ish-presidentin që ta blinte storien e McDougalit, porse Trumpi nuk ishte i sigurt për këtë. 

“Sa herë që bëni diçka të tillë, ajo gjithmonë do të dalë publikisht”, pretendon Pecker se i tha Trumpi.
Kompania e Trumpit raportohet se përfundimisht bleu storien për 150 mijë dollarë. 
Ndonëse prokurorët nuk kishin ngritur akuza për dy pagesat e mëhershme, dëshmia e të martës e Peckerit mund të ndihmojë që të dihet konteksti që çoi në pagesën për Stormy Danielsin. 
Ish-prokurorja e Brooklynit, Julie Rendelman, ka thënë se ishte lëvizje e mirë që si dëshmitar i parë u ftua botuesi Pecker. 

Të martën u shqyrtua edhe kërkesa e prokurorisë për të marrë masa ndaj Trumpit, me pretendimin se ai ka thyer urdhrin duke bërë dhjetë postime për dëshmitarët. 

Gjykatësi Juan Merchan tha se do të rezervohet aktualisht për marrjen e një mase.