Botë

Delegacioni ukrainas takohet me Erdoganin para bisedimeve me Rusinë

UK RS

Andriy Yermak, shefi i zyrës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar të mërkurën se delegacioni ukrainas është takuar me presidentin turk, Recep Tayip Erdogan dhe këshilltarët e tij.

Yermak ka thënë se ata “kanë shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe të sigurisë për Ukrainën”, dhe për ofertën e Turqisë për të ndërmjetësuar negociatat.

“Kemi diskutuar rreth situatës së sigurisë, sfidave ndaj stabilitetit rajonal, dhe potencialit për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendeve”, ka shtuar ai.

E një burim i këtij delegacioni është shprehur për agjencinë franceze të lajmeve (AFP) se Kievi zyrtar është i gatshëm për të arritur marrëveshjen e armëpushimit me Rusinë gjatë bisedimeve të sotshme në Stamboll, porse ka kërkuar nga Moska që të mbajë “pozicion më konstruktiv” dhe të “mos flasë më me ultimatume”.

“Gjithçka do të varet nga ajo nëse Rusia ndalon së foluri me ultimatume dhe mban qëndrim konstruktiv. Kjo do të përcaktojë nëse mund të arrihen rezultate në këtë takim”, ka thënë burimi ukrainas për AFP-në.

Më herët, Kremlini zyrtar kishte kumtuar se priste që bisedimet të jenë “shumë të vështira”, teksa zëdhënësi Dmitry Peskov pati deklaruar se  “askush nuk pret një rrugë të lehtë”.