Danimarka do ta heqë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për librat, në kuadër të përpjekjeve për të nxitur më shumë njerëz që të lexojnë, ka raportuar The Guardian.
Me 25 për qind, norma e taksës për librat në këtë shtet është më e larta në botë – politikë që sipas zyrtarëve qeveritarë po i kontribuon “krizës së leximit” gjithnjë e në rritje.
Ministri danez i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, ka njoftuar të mërkurën se Qeveria do të propozojë në projektbuxhetin e saj që kjo taksë mbi librat të hiqet përfundimisht.
Ky vendim pritet t’i kushtojë shtetit skandinav rreth 43 milionë euro në vit.
“Kjo është diçka për të cilën unë, si ministër i Kulturës, kam punuar, sepse besoj se duhet të bëjmë çmos nëse duam të ndalim krizën e leximit që, fatkeqësisht, është përhapur vitet e fundit”, ka thënë Engel-Schmidt për agjencinë e lajmeve “Ritzau”.
“Jam jashtëzakonisht krenar. Nuk është diçka që ndodh çdo ditë të bindësh kolegët që të shpenzojnë kaq shumë para për të investuar në konsum dhe në kulturën e danezëve”, ka shtuar ai.
Edhe vende të tjera nordike zbatojnë normë standarde prej 25 për qind, porse ajo nuk aplikohet për librat.
Në Finlandë, TVSH-ja për librat është rreth 14 për qind, në Suedi 6 për qind, kurse në Norvegji zero.
Suedia e kishte ulur TVSH-në për librat në vitin 2001, gjë që solli rritje në shitjet e librave, ndonëse studimet treguan se ato u blenë kryesisht nga lexuesit ekzistues.
“Bëhet gjithashtu fjalë për ta nxjerrë letërsinë në dritë”, tha Engel-Schmidt. “Për këtë arsye ne kemi ndarë tashmë fonde për të forcuar bashkëpunimin mes bibliotekave publike të vendit dhe shkollave, në mënyrë që më shumë fëmijë të njoftohen me letërsinë e mirë”.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, gjithsej 8.3 milionë libra u shitën në dyqane si dhe online në Danimarkë gjatë vitit 2023.