Botë

Britania, Gjermania e Franca mesazh Izraelit: Katastrofa në Gaza duhet të ndalet

m

Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës kanë lëshuar deklaratë të përbashkët duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës në Gaza.

Në deklaratë, këto tri shtete kërkuan lirimin e pengjeve dhe lejimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare për popullsinë civile në Gaza.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta përfundojnë konfliktin përmes një armëpushimi të menjëhershëm. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi që nga 7 tetori 2023. Armëpushimi është mundësia më e mirë që pengjet të kthehen në shtëpi, të ndalet vuajtja e familjarëve të tyre dhe t’i jepet fund krizës humanitare në Gaza. Çarmatosja e Hamasit është thelbësore dhe kjo organizatë nuk duhet të ketë asnjë rol në të ardhmen e Gazës. Rikonfirmojmë përkrahjen tonë për përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Katarit dhe Egjiptit”, thuhet në deklaratë.

Më tej, deklarata ndalet te gjendja humanitare në Gaza.

“Katastrofa humanitare që po zhvillohet në Gaza duhet të përfundojë menjëherë. Nevojat themelore të popullatës civile, përfshirë qasjen në ujë dhe ushqim, duhet të përmbushen pa vonesa të mëtejshme. Refuzimi i ndihmës humanitare për civilët është i papranueshëm. I bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit të heqë menjëherë kufizimet për ndihmat dhe të lejojë me urgjencë Kombet e Bashkuara dhe OJQ-të humanitare të veprojnë për të parandaluar urinë masive. Izraeli duhet të përmbushë obligimet që i ka sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare”, vijon deklarata.

Gjithashtu, tri shtetet reaguan edhe ndaj kërcënimeve për sovranitet izraelit mbi territoret palestineze.

“E kundërshtojmë me vendosmëri çdo përpjekje për të imponuar sovranitetin izraelit mbi territoret palestineze të pushtuara. Kërcënimet për aneksim, ndërtimi i vendbanimeve të paligjshme dhe dhuna e kolonëve ndaj palestinezëve minojnë perspektivën për një zgjidhje të negociuar me dy shtete. Ne angazhohemi që së bashku me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Kombet e Bashkuara, të zhvillojmë një plan të qartë dhe të besueshëm për fazën e ardhshme në Gaza, që përfshin qeverisje tranzitore dhe marrëveshje sigurie, si dhe sigurimin e ndihmës humanitare në shkallë të gjerë. Ky proces duhet të pasohet me tërheqjen e forcave izraelite dhe largimin e udhëheqësisë së Hamasit, si hapa të domosdoshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete”, u theksua më tej.

Në përmbyllje të deklaratës, tre vendet evropiane shprehën gatishmërinë për të ndërmarrë hapa konkretë për të çuar përpara këtë proces.

“Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të mbështetur një armëpushim të menjëhershëm dhe një proces politik që çon drejt sigurisë dhe paqes së qëndrueshme për izraelitët, palestinezët dhe të gjithë rajonin”, përfundon deklarata.