Shtetet e Bashkuara të shtunën kanë kryer sulme ajrore në Venezuelë, duke rezultuar më pas në arrestimin e presidentit të saj, Nicolas Maduro.
Shumë shtete kanë reaguar pas sulmeve e kapjes së Maduros.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se Maduros i ka munguar legjitimiteti dhe se “blloku e ka mbështetur një tranzicion paqësor”.
“Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, ka thënë se Britania nuk është përfshirë në operacionin e SHBA-së në asnjë formë.
Ministria e Jashtme e Spanjës përmes një deklarate ka bërë thirrje për shtensionim dhe qetësim, duke ofruar shërbimet e saj për të arritur një zgjidhje paqësore.
Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, ka dënuar veprimet e SHBA-së derisa ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore.
“Kili riafirmon angazhimin ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, si ndalimi i përdorimit të forcës, mosndërhyrja, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe integriteti territorial i shteteve”, ka theksuar ai.
E, presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka deklaruar se “qeveria kolumbiane refuzon çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund të përkeqësojë situatën ose ta vë popullsinë civile në rrezik”.
Kurse, Rusia e ka dënuar sulmin e SHBA-së.
“Këtë mëngjes SHBA kreu një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme. Pretekstet e përdorura për të justifikuar veprime të tilla janë të pabazuara”, u tha nga Ministria e Jashtme ruse.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë thirrje për qëndresë Venezuelës.
“Ajo që ka rëndësi është se kur një person e kupton se armiku po përpiqet në mënyrë arrogante të imponojë diçka mbi vendin, mbi zyrtarët, qeverinë dhe kombin, duhet të qëndrojë fort kundër armikut dhe t’i bëjë qëndresë. Ne nuk do t’i dorëzohemi armikut”, ka thënë ai.
Edhe presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, i ka dënuar sulmet e SHBA-së.