Botë

Bllokohet vendimi i Trumpit për ta mbyllur Departamentin e Arsimit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Një gjykatës federal nga Massachussettsi ka bllokuar të enjten urdhrin ekzekutiv të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta mbyllur Departamentin e Arsimit dhe e ka urdhëruar agjencinë  që të rikthejë punëtorët e larguar, raporton CNN.

Gjyqtari i Gjykatës Federale të SHBA-së, Myong Joun, në Boston, ka miratuar urdhrin për të ndaluar administratën Trump që të zbatojë dy planet e shpallura në muajin mars, të cilat kanë për synim ta shpërbëjnë departamentin.

Kjo përbën pengesë ndaj njërit prej premtimeve elektorale të presidentit nga radhët e Partisë Republikane.

Urdhri ndalues ishte kërkuar gjatë një padie të ngritur nga shkollat e distriktit të Massachusettsit dhe Federata Amerikane e Mësuesve, përfshirë grupet e tjera arsimore.

Në kuadër të padisë, grupet kanë cekur se masat e ndërmarra për mbylljen e departamentit përbëjnë shkelje ligjore.

Ata kanë shtuar se këto vendime e lënë departamentin të paaftë që t’i përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë e kërkuara nga Kongresi, përfshirë detyrat që mbështesin edukimin e veçantë, shpërndarjen e ndihmës financiare dhe zbatimin e ligjeve për të drejtat civile.