Pas bisedës Biden-Netanyahu

Blikeni mirëpret vendimin e Netanyahut për të lejuar më shumë ndihma në Gaza

Antony Blinken

Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se masat që qeveria izraelite ka shpallur për të zgjeruar rrjedhën e ndihmave në Gaza janë të mirëseardhura, por mund të mos jenë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e administratës Biden, për përmirësime dramatike në kushtet humanitare në territor.

Blinkeni ka deklaruar të premten se nëse implementohet në tërësi, hapja e më shumë kalimeve kufitare mund të rritë ndihmat për palestinezët e mbetur mes luftimeve Izrael-Hamas, raporton AP.

“Mirëpresim hapat që janë njoftuar nga Izraeli. Këto janë zhvillime pozitive por testi i vërtetë janë rezultatet, dhe kjo është ajo që presim të shohim në ditët dhe javët në vijim”, ka deklaruar Blinken.

Në të njëjtën kohë, sekretari amerikan ka thënë se SHBA-ja dëshironte të shihet “një sistem më të mirë për de-konflikt dhe koordinim”, në atë mënyrë që ndihmat të mund të dërgohen në mënyrë të sigurtë dhe të shpërndahen brenda Gazës.

“Të gjitha këto janë kritike dhe që kanë nevojë të maten nga rezultatet”, u ka thënë Blinkeni gazetarëve në qytetin Leuven, jashtë Brukselit, ku po takohej me zyrtarë tregtarë amerikanë e evropianë.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për hetim të pavarur ndaj sulmit të Izraelit ndaj punonjësve të ndihmës, që la të vdekur shtatë punëtorë të kombësive të ndryshme.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi më herët të premten se Izraeli do të veprojë për të përmirësuar kushtet, duke përfshirë rihapjen e një kalimi kyç kufitar në Gazën veriore, vetëm disa orë pasi presidenti, Joe Biden i kishte thënë atij në një telefonatë të enjten se mbështetja e ardhshme e SHBA-së për luftën në Gaza varet nga ndërmarrja e më shumë veprimeve të Izraelit për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmës.

LEXO EDHE: