Botë

BE: Ukraina duhet të jetë e lirë ta vendosë të ardhmen e saj

Bashkimi Evropian

Foto: Associated Press

Udhëheqësit e 26 shteteve evropiane kanë thënë të martën përmes një deklarate të përbashkët se ukrainasit duhet të jenë të lirë që të vendosin për të ardhmen e tyre dhe se çdo zgjidhje diplomatike e luftës duhet që para së gjithash të mbrojë interesat e Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, ka shkruar Reuters.

“Negociatat kuptimplota mund të ndodhin vetëm në kontekstin e armëpushimit ose të reduktimit të armiqësive”, kanë thënë liderët, duke shtuar se “ndajmë bindjen e përbashkët se një zgjidhje diplomatike duhet të mbrojë interesat jetike si të Ukrainës ashtu edhe të Evropës”.

Në këtë deklaratë vlerësohen po ashtu përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tek është konstatuar se produkti final duhet të jetë paqja e drejtë dhe afatgjatë.

“Ne, udhëheqësit e BE-së, mirëpresim përpjekjet e presidentit Trump drejt përfundimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe arritjes të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme dhe të sigurisë për Ukrainën”, thuhet më tutje.

Deklarata, e cila u dakordua njëzëri të hënën dhe u publikua të martën, është legjitimuar dhe mbështetur nga pothuajse të gjitha vendet e bllokut evropian, me përjashtim të Hungarisë.

Trumpi ka thënë një ditë më parë se si Kievi ashtu edhe Moska zyrtare do të duhet të heqin dorë nga disa territore për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe se bisedimet me presidentin rus, Vladimir Putin, këtë javë, do të shpalosin menjëherë nëse udhëheqësi i Kremlinit është i gatshëm të arrijë marrëveshje.

Nga ana tjetër, udhëheqësit evropianë dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po planifikojnë të flasin me Trumpin përpara samitit me Putinin në Alaskë më datë 15 gusht, mes frikës se Washingtoni mund të diktojë kushte të paqes që s’janë fare të volitshme për Ukrainën.