Bashkimi Evropian (BE) të premten ka miratuar pakon e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo paketë përfshin masa të reja që godasin edhe më shumë industrinë e naftës dhe energjisë ruse.
Diplomatët thanë për agjencinë Reuters se paketa e re kufizon çmimin që vendet e G7-s mund të paguajnë për naftën ruse, duke e ulur atë në 47.6 dollarë për fuçi.
“BE-ja sapo miratoi një nga paketat më të ashpra të sanksioneve kundër Rusisë deri tani. Ne do të vazhdojmë të rrisim koston për Moskën, derisa ndalimi i agresionit të jetë e vetmja rrugë për të”, ka shkruar në rrjetin X, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas.
Megjithatë, Rusia deri tani ka arritur të shesë shumicën e naftës së saj mbi çmimin e mëparshëm të lejuar, sepse nuk është e qartë se kush duhet të kontrollojë zbatimin e kësaj mase. Shumë tregtarë mendojnë se edhe këto sanksione të reja nuk do ta pengojnë shumë tregtinë ruse të naftës.
Pakoja e re përfshin edhe ndalimin e çdo transaksioni që ka të bëjë me tubacionet e gazit Nord Stream që kalojnë në Detin Baltik, si dhe ndalime në sektorin financiar të Rusisë.
Ajo përmendi gjithashtu se sanksionet përfshijnë edhe disa banka kineze që ndihmojnë në shmangien e sanksioneve, por nuk dha emra.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, e quajti vendimin “të domosdoshëm dhe në kohën e duhur”, ndërsa Rusia ka shtuar numrin e sulmeve ajrore kundër qyteteve dhe fshatrave ukrainase.
E ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, theksoi se për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë, është thelbësore që asaj t’i hiqet burimi i të ardhurave nga nafta.
Grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara (G7) ka vendosur një kufi çmimi për naftën ruse që nga dhjetori i vitit 2022.