Botë

Autoritetet izraelite thonë se kanë rikthyer trupin e një pengu tajlandez

izrael

Foto: Associated Press

Autoritetet izraelite kanë njoftuar të shtunën se kanë rikthyer trupin e pajetë të një pengu tajlandez që ishte rrëmbyer dhe dërguar në Rripin e Gazës më 7 tetor të vitit 2023, ka raportuar AP.

Zyra e Kryeministrit ka deklaruar të shtunën se trupi i shtetasit tajlandez, Nattapong Pinta, është kthyer në Izrael nëpërmjet një operacioni të posaçëm ushtarak.

Qeveria izraelite ka shtuar se Pinta ishte rrëmbyer nga Kibuci Nir Oz dhe ishte vrarë gjatë robërisë në fillim të luftës. Mes tjerash, shtetasit tajlandezë përbëjnë grupin më të madh të të huajve të mbajtur peng nga militantët e Hamasit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se trupi i Pintas u rikthye nga zona e Rafahut. Ai kishte ardhur në Izrael nga Tajlanda për të punuar në bujqësi.

Të enjten, forcat izraelite rikthyen po ashtu trupat e pajetë të Judih Weinstein dhe Gad Haggai, të dy me shtetësi izraelite dhe amerikane.

Këto zhvillime kanë ndodhur teksa Izraeli po vazhdon operacionin e tij në Gazë, ku të paktën 22 persona u vranë nga sulmet izraelite brenda një nate.